Telenews

Berisha: Protesta dëshmoi se opozita mbetet e pamposhtur

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur një ditë pas protestës së zhvilluar në bulevardin e Tiranës të cilën ai e cilëson si një akt të fortë qëndrese ndaj qeverisë

Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se pjesëmarrësit në protestë treguan se opozita mbetet e pamposhtur. Sipas Berishës, protesta shërbeu si një mesazh për shqiptarët që kërkojnë integrimin e vendit në Bashkimin Europian me dinjitet dhe pa frikë.

“Me këtë protestë, me këtë kryengritje, me këto sakrifica, ju u provoni shqiptarëve se qëndroni të pamposhtur para një të keqe që po e gërryen këtë komb sa asnjë pushtim tjetër në tërë historinë e tij. Para një regjimi që përfaqëson narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë.

Prania juaj dje në bulevardin e Tiranës ishte prozhektori i madh i shpresës për të gjithë shqiptarët që ende nuk guxojnë të dalin nga emocionet e frikës. Për të gjithë shqiptarët që duan që Shqipëria të integrohet me dinjitet në BE.

Pra, ju keni qenë dje në bulevardin e madh të Tiranës ambasadorët më të shkëlqyer, përfaqësuesit më dinjitozë, elita e vërtetë e kombit, e ndërgjegjes së tij para çdo shqiptari dhe para partnerëve, miqve të Shqipërisë në mbarë botën”, tha kreu i PD.

Berisha falënderoi mbështetësit për pjesëmarrjen , duke theksuar se opozita do të vijojë betejën e saj politike.

“Shqiptarët u janë përjetë mirënjohës për këtë sakrificë që ne do ta vazhdojmë gjer në largimin përfundimtar të kësaj të keqe të madhe. Por ne qëndrojmë dhe do të qëndrojmë të pamposhtur”.

Të ngajshme

Drita kampione e Kosovës

Blearta

Reshjet e shiut s’i “frenojnë” kosovarët në lëvizjet drejt Shqipërisë – fluks i madh në Morinë

Valjeta Turkaj

Abdixhiku: Ata që nuk e duan bashkimin në LDK, nuk e duan as vetë LDK-në

Valjeta Turkaj