Telenews

Besa e re synon Superligën dhe daljen në Evropë, kryetari i klubit shpalos objektivat e tyre

Qytetit të Pejës përsëri po i rikthehet klubi i futbollit Besa që është prej klubeve ikonike në sportin kosovar.

Me iniciativën e disa të rinjëve në krye me Blertan Libushën, në Komunën e Pejës javën e kaluar zyrtarisht është rithemeluar klubi i futbollit, SC Besa.

Lidhur me këtë nismë, Telenews.al ka realizuar një intervistë me kryetarin e klubit të sapo themeluar, Blertan Libusha i cili ka treguar se si erdhi deri tek kjo ide, qëllimet e tyre me Besën, pritjen e iniciativës nga futbolldashësit në Pejë, stabilitetin financiar dhe gjëra të tjera me rëndësi.

Ideja për të themeluar klubin e Besës lindi në korrik të 2023 kur filloi sezona futbollistike tek të gjitha ligat e Kosovës, mirëpo pa skuadren e mirënjohur kosovare FC Besa. Atëherë u mblodhëm disa djem të Pejës, që jetojmë jashtë Kosovës, jashtë Pejës si dhe në Pejë, që të krijojmë skuadrën e re të qytetit dhe vendosëm ta lidhim me traditën që kur është krijuar ekipi i parë në qytetin e Pejës në vitin e largët 1923 me emrin “Bahari i Ri” dhe të quhet me emrin e plotë: SC Besa Pejë 1923”, thotë Libusha për Telenews.al

Një frymë dhe identitet i ri, Libusha tregon për qëllimet si kryetar me klubin pejan.

Qëllimi im dhe i gjithë kryesisë është të kthehet lavdia në qytetin e Pejës edhe në futboll sikur në vitet 2005/2010 ku Besa është shpallur edhe 3 herë rradhazi kampione e Kosovës. Pasi qyteti i Pejës është edhe qytet me ADN të kampionit, duke filluar nga JUDO, Hendboll, Vollejboll dhe Basketboll, tani rradhën e ka edhe futbolli sikur në kohën e artë të saj”.

Mund të jetë një ilustrim i 1 person, duke luajtur futboll dhe teksti

Prej vitesh Peja ka mbetur pa klub futbolli dhe duket se iniciativa e re, është pritur shumë pozitivisht në qytetin e Pejës nga ekspertët dhe dashamirët e futbollit atje.

Inciativa është pritur shumë mirë, pasi që edhe ne kemi ndjekur traditën edhe pse klub i ri me ngjyrat KUQ e BARDHE dhe të jemi klubi i qytetit. Hapi i parë i jonë ka qenë që të gjithë ish legjendat e Pejës të thirren në ceremoninë e prezantimit të klubit, dhe të ju tregohet që edhe ata do të jenë pjesë e vendimarrjeve në ekip pas krijimit të bordit, ku do ketë gjithë përfshirje”.

Planet e Besës në aspektin sportiv janë të qarta. Libusha thotë se brenda një periudhe kohore besojnë se do ta rikthejnë ekipin në Superligë, por edhe të luajnë në Evropë dhe ta mbushin stadiumin ”Shahin Haxhiislami” përplot me shikues.

Duke e ditur se çfare emri është Besa, atëherë në harkun një apo dy vjeçar, ne synojmë të arrijmë Superligën dhe të kthehemi atje ku edhe e kemi vendin, dhe të kthehen ato vikende sportive ku stadiumi “Shahin Haxhiislami” do të stërmbushet përsëri nga tifozët dhe sportdashësit pejanë, dhe pastaj nga Superliga do tentojmë daljen në skenën evropiane dhe të lëmë gjurmë, dhe jo vetëm pjesëmarrje. Tani kemi shembuj të mirë nga skuadrat që kanë bërë mirë në Evropë, ku Ballkani është shembull, duke u ndjekur nga Drita”, beson kryetari i ri i Besës.

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Fanelat në stinorin debutues

Libusha thotë se puna te Besa veçse ka nisur dhe synim është krijimi i akademisë më të mirë në Kosovë dhe bashkëpunim me të gjitha shkollat e futbollit në Pejë.

Ne kemi filluar me punë dhe synimi i SC Besa ështe krijimi i akademisë më të mirë në Kosovë, ku do të lidhim kontrata profesionale me të gjitha shkollat e futbollit të Pejës, dhe do të ju ofrojmë përkrahje të pashtershme si dhe promovim të talentëve të tyre në skuadrën e parë, U-21 (në Superligë) si dhe në ligën e juniorëve”, shprehet ai.

Pjesa financiare është njëra prej pikave kryesore në mbajtjen e një klubi sportiv, por si qëndron Besa në këtë aspekt dhe a besojnë se do të ketë qëndrueshmeri financiare?

Duke pasur parasysh ligjin për sponsorizim dhe një ndër ligjet më të mira në Evropë ne kemi filluar të kontaktojmë bizneset. Ne nuk kërkojmë nga bizneset që ato të japin 30% se e lejon ligji, po ne do të ofrojmë edhe marketing për to dhe do të jemi promotor i çdo sponsori dhe shtytës që të gjithë qytetarët e Pejës të konsumojnë ato produkte pasi janë ata që kanë kthyer lavdinë e futbollit në qytetin e Pejës. Ne besojmë se me ekipën që do të krijojmë me djem të rinj dhe me një mendësi tjetër të të menduarit dhe vepruarit, të krijojmë brend që do të ndjeket nga të gjitha klubet tjera në Kosovë”.

Për fund, kryetari i klubit pejan ka edhe një mesazhi për dashamirët e futbollit në qytetin e Pejës.

I ftoj të gjithe të bashkohen rreth projektit te SC Besa 1923, pasi jemi të hapur për çdo kontakt me secilin. Ne jemi djem të rinj që këtë projekt e kemi nisur sepse së pari e duam qytetin e Pejës, jemi rritur në këtë qytet dhe me Besën e me ngjyrat Kuq e Bardhë, dhe këtë punë e bëjmë me shumë dashuri që të kthehet nami i dikurshëm i SC Besa”. mbyll intervistën pë Telenews.al, kryetari i klubit të ri të futbollit në Pejë.

/Telenews.al/

Të ngajshme

Krasniqi transferohet te Kolosi në Ukrainë

Erzana Fazliu

Driton Kuka komenton humbjen e Kosovës: T’i përkrahim në ditë të vështira

Erzana Fazliu

Kurti shkruan për humbjen e Kosovës

Donat Hashani