Telenews

Bie në pranga i dyshuari i pestë për tjetërsim të pronës tremilionëshe në Ferizaj

Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin e pestë për tjetërsim të një prone në vlerë rreth 3 milionë euro në komunën e Ferizajt.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari është B.L., i cili është intervistuar të enjten nën dyshimin për bashkëkryerje të veprave penale “mashtrim”, “falsifikim i dokumenteve” dhe “legalizim i përmbajtjes së rreme”.

Policia ka bërë të ditur se ekziston dyshimi që personat e përfshirë, “duke falsifikuar dokumentet e identifikimit dhe certifikatën e pronës së palës ankuese, kanë arritur të tjetërsojnë në mënyrë të kundërligjshme pronën e tij me sipërfaqe prej shtatë hektarësh në vlerë të përafërt të tregut rreth tre (3) milion euro e cila gjendet në komunën e Ferizajt, të cilën më pas e kanë parcelizuar dhe shitur personave të tretë”.

Pas intervistimit, B.L. është ndaluar për 48 orë.

Ndërkohë, në një lokacion është kryer bastisje, ku janë gjetur dhe sekuestruar një telefon mobil dhe dokumente që ndërlidhen me rastin.

Lidhur me këtë rast, Policia kishte arrestuar më 19 shkurt edhe katër persona të tjerë.

Sinjali pati raporuar ekskluzivisht emrat e të dyshuarve të tjerë: Muhamet Meli, Shpend Bobaj, Driton Restelica dhe Burhan Zhinipotoku.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Të ngajshme

54-vjeçari gjendet pa shenja jete në Prizren, nisin hetimet

KushtrimGuraj

Vdes në QKUK 30-vjeçari që ishte i plagosur me armë zjarri

Rrezarta Ramaj

18-vjeçari nga Dragashi është i riu që humbi jetën në aksidentin në Austri

Rrezarta Ramaj