Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, kanë zhvilluar një bisedë telefonike ku për rreth një orë diskutuan për nevojat prioritare të mbrojtjes së Ukrainës.
Në fokus të bisedës ishin forcimi i mbrojtjes ajrore, trajnimi i pilotëve për avionët luftarakë Mirage, furnizimi me raketa për sistemin SAMP/T dhe përdorimi i dronëve interceptues.
“Një bisedë shumë kuptimplotë me presidentin francez Emmanuel Macron. Diskutuam situatën në front dhe nevojat urgjente të mbrojtjes së Ukrainës,” shkroi Zelensky në rrjetet sociale.
Ai shtoi se Ukraina dhe Franca, së bashku me partnerët e tjerë ndërkombëtarë, po përgatisin vendime të përbashkëta për të ndërmarrë hapa të rinj në mbështetje të mbrojtjes kundër sulmeve ruse.
Zelensky vuri në dukje edhe rëndësinë e ruajtjes së presionit të vazhdueshëm ndërkombëtar ndaj Moskës, duke falënderuar Francën për mbështetjen e saj në paketën e 18-të të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.
Nga ana e tij, presidenti francez Emmanuel Macron theksoi se siguria dhe e ardhmja e Evropës janë të lidhura ngushtë me fatin e Ukrainës. Ai konfirmoi mbështetjen e palëkundur të Francës për popullin ukrainas dhe nënvizoi rëndësinë e një presioni të koordinuar ndërkombëtar për të çuar drejt një armëpushimi dhe një paqeje të qëndrueshme.
“Sulmet ruse duhet të ndalen menjëherë. Në kohë sprovash dhe në kohë shprese, Franca është dhe do të mbetet në anën e Ukrainës,” përfundoi Macron.