Zyrtarë të lartë nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina do të vazhdojnë bisedimet tregtare të martën sot në Londër, duke synuar të arrijnë një marrëveshje për kontrollin e eksporteve, veçanërisht për metalet e rralla, që janë thelbësore për sektorë të tjerë si automjetet, gjysmëpërçuesit dhe mbrojtja.
Këto produkte kanë shkaktuar tronditje në zinxhirët globalë të furnizimit dhe kanë kontribuar në ngadalësimin e ritmit të rritjes ekonomike botërore.
Bisedimet, të cilat janë zhvilluar pas një marrëveshjeje paraprake tregtare të arritur në Gjenevë muajin e kaluar, erdhën në një moment kritik për dy ekonomitë më të mëdha të botës, pasi tensionet tregtare janë rritur sërish.
Eksportet e Kinës drejt SHBA-së ranë me 34.5% në muajin e kaluar, duke shënuar rënien më të madhe që nga shkurti i vitit 2020, kur pandemia COVID-19 shpërtheu.
Në ditën e parë të bisedimeve, delegacionet u takuan në “Lancaster House” në Londër, ku diskutuan për çështjet që kishin ngelur pas marrëveshjes së Gjenevës. Delegacioni amerikan udhëhiqet nga sekretari i Thesarit, Scott Bessent, sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, dhe përfaqësuesi amerikan për çështje tregtare, Jamieson Greer, ndërsa delegacioni kinez drejtohet nga zëvendëskryeministri He Lifeng.
Shpresat janë të mëdha që një marrëveshje e re mund të përmirësojë marrëdhëniet tregtare dhe të lehtësojë tensionet mes dy fuqive kryesore ekonomike botërore.