Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është i gatshëm të përfshihet edhe personalisht në dialogun Kosovë-Serbi nëse është nevoja për të arritur diçka përfundimtare.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, kur u pyet nëse është e mundshme që Blinken të mirëpresë një takim në Washington para 1 shtatorit.
“Nëse e shohim të udhës se angazhimi i Sekretarit përmes telefonit ose personalisht është diçka e domosdoshme për të arritur diçka të tillë në vijën e finishit, Sekretari Blinken nuk heziton të marrë telefonin dhe t’i bëjë ato biseda”.
Price shtoi se janë duke i përcjellë me vëmendje bisedimet dhe se i mbështesin ato, duke potencuar se njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë në qendër të rezultatit përfundimtar.
Ai ka thënë se për të dëshmuar këtë mbështetje për dialogun, SHBA ka dërguar emisarin Escobar në Bruksel dhe ka konfirmuar se ai do të vijë në Prishtinë dhe më pas do të shkojë në Beograd.
“Ai udhëtoi, natyrisht, në Bruksel javën e kaluar dhe së shpejti do të udhëtojë në Prishtinë dhe Beograd për të vazhduar mbështetjen tonë për dialogun”.
Escobar dhe Lajçak pritet që sot të arrijnë në Prishtinë dhe pas vizitës këtu do të vazhdojnë për Beograd.

