Bordi i Paqes ka hapur zyrtarisht uebfaqen e tij, duke shënuar një hap të rëndësishëm në përpjekjet për ndërtimin e një arkitekture të re dhe më efektive të paqes në nivel global.
Në këtë platformë janë publikuar gjithashtu 28 shtetet themeluese të këtij mekanizmi ndërkombëtar, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë.
Në deklaratën e tij themeluese, Bordi thekson se paqja e qëndrueshme kërkon një qasje pragmatike, zgjidhje të përbashkëta dhe guximin për t’u larguar nga mënyrat dhe institucionet që shpesh kanë dështuar të sjellin rezultate konkrete.
Dokumenti po ashtu thekson se paqja afatgjatë arrihet kur qytetarët fuqizohen për të marrë përgjegjësi për të ardhmen e tyre dhe përmes partneriteteve të qëndrueshme, të orientuara nga rezultatet dhe të bazuara në ndarjen e përgjegjësive dhe barrës.
Një tjetër pikë e rëndësishme është nevoja për krijimin e një mekanizmi ndërkombëtar më fleksibël dhe më efikas në fushën e paqebërjes, duke kritikuar qasjet që krijojnë varësi të përhershme dhe institucionalizojnë krizën, në vend që ta adresojnë dhe tejkalojnë atë.
Mes 28 shteteve themeluese që figurojnë në uebfaqe janë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria, Kosova, Turqia, Arabia Saudite, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Pakistani, Izraeli, Egjipti, Jordania, Kazakistani, Uzbekistani, Paraguai, Maroku, dhe shumë shtete të tjera nga Europa, Azia, Afrika dhe Amerika Latine.

