Telenews

Çështjet gjyqësore ndaj ish-Presidentit Trump dhe Hunter Biden-it në epiqendër të vëmendjes

Dje është paraqitur për herë të parë në gjykatë Carlos De Oliveira, punonjësi i rezidencës së ish-Presidentit Donald Trump në Mar-a-Lago, i cili akuzohet për fshirjen e filmimeve të kamerave të sigurisë që kërkoheshin nga prokurorët që hetonin për dokumentet e klasifikuara. Prokurorët thonë se fshirja e filmimeve u bë me urdhër të ish-Presidentit Trump dhe se punonjësi gjithashtu gënjeu prokurorët gjatë marrjes në pyetje.

Gjatë një tubimi elektoral të shtunën në Pensilvani, ish-Presidenti Donald Trump, që po rikandidon për zgjedhjet presidenciale, sërish i hodhi poshtë akuzat e ngritura ndaj tij.

“Këto janë akuza qesharake. Kërkojnë të dëmtojnë kandidatin kryesor”, tha ai.

Të enjten e kaluar, prokurorët federalë shtuan tre akuza penale për konspiracion për të penguar drejtësinë, në kuadrin e hetimit të marrjes dhe mbajtjes së paautorizuar nga zoti Trump të dokumenteve të klasifikuara.

Ish-guvernatori i Nju Xhersit dhe tashmë kandidat republikan për zgjedhjet presidenciale, Chris Christie, i ftuar në emisionin “State of the Union” të CNN-it, tha se provat e reja mund të tregojnë se zoti Trump mund të ketë urdhëruar personelin të fshijë filmimet e kamerave të sigurisë.

“Kjo ka të bëjë me mbajtjen e informacionit të klasifikuar pas 18 muajsh që Donald Trump-it iu kërkua ta kthente vullnetarisht. Jo vetëm që nuk e ktheu, por edhe gënjeu”, tha zoti Christie.

Por kandidati tjetër republikan, Vivek Ramaswamy, i quajti procedurat ligjore “hetime politike” dhe përsëriti se nëse do të fitonte zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, ai do të dekretonte faljen e zotit Trump.

“Absolutisht që mendoj se përgjigja e duhur për vendin është të lërë pas mosmarrëveshjet e së shkuarës”, tha ai.

Një tjetër çështje ligjore që ka tërhequr vëmendje është ajo ndaj Hunter Biden-it.

Të enjten e kaluar, djali i Presidentit Joe Biden pritej të pranonte fajësinë për mospagim të taksave, sipas një marrëveshjeje të arritur me prokurorët. Por, marrëveshja nuk u pranua në gjykatë dhe teksti po rishqyrtohet tashmë, me kërkesë të gjykatëses. Ish-prokurori Chuck Rosenberg foli për këtë çështje në emisionin “Meet the Press” të kanalit NBC.

“Është relativisht e thjeshtë për ta ndrequr, në rast se zoti Biden do të vazhdojë ta pranojë fajësinë. Dhe mendoj se është në interesin e tij, që të veprojë kështu”, tha zoti Rosenberg.

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy përmendi rishtazi mundësinë e hapjes së një hetimi nga Dhoma e Përfaqësuesve ndaj Presidentit Biden, si fazë e parë e një procesi që mund të çojë deri në shkarkimin e presidentit, bazuar në akuza për shkelje financiare. I pyetur për këtë, Guvernatori republikan i Nju Hempshërit, Chris Sununu, dha këtë përgjigje.

“Amerika ka probleme të mëdha me shëndetin mendor, me krizën e opioideve, me përpjekjet për të siguruar kufirin. Preferoj të përqendrohem tek këto çështje”, tha ai.

Në një aktivitet në Mein për të folur për arritjet e politikave të tij ekonomike, Presidenti Biden bëri shaka të premten me idenë e hetimit për shkarkimin e tij. Ai e ka mohuar vazhdimisht të ketë biseduar me të birin për bizneset e tij në vende të tjera.

 

Të ngajshme

Cilësi mesatare në Prishtinë, në listë me 100 kryeqytetet me ajrin më të ndotur

Rrezarta Ramaj

Thirret protestë kundër Albin Kurtit

Rrezarta Ramaj

Macron dënon protestat në Francë: Përgjegjësit do të ndiqen penalisht

Rrezarta Ramaj