Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se pesë policëve i është caktuar masa e paraburgimit 30-ditore për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
Ata po dyshohen që veprimet e tyre çuan në vdekjen e Agon Zejnullahu.
Në njoftim thuhet se gjyqtarja e procedurës paraprake vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate në këtë fazë të procedurës.
Më poshtë njoftimi i Gjykatës:
Caktohet masa e paraburgimit ndaj pesë të pandehurve të dyshuar për veprën penale Vrasje nga pakujdesia
Lipjan, 09 Korrik 2025 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan – Departamenti i Përgjithshëm Penal ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë duke caktuar masën e paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve E.B., L.RR., A.K., A.R. dhe I.N., në kohëzgjatje prej një muaji për secilin, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Vrasje nga pakujdesia.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtarja e procedurës paraprake vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate në këtë fazë të procedurës, dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.
Të pandehurit E.B., L.RR., A.K., A.R. dhe I.N. dyshohen se me datë 07.07.2025, rreth orës 00:10, në rrugën “Hajredin Bajrami” në Lipjan duke vepruar në bashkëkryerje nga pakujdesia kanë privuar nga jeta, tani të ndjerin A.Z.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.