Telenews

Çfarë po ndodh me rastin e Nagip Krasniqit, flet avokati i tij – Prokuroria hesht

 

Nga 15 shtatori, Kryeshefi i pezulluar i KEK’ut, Nagip Krasniqi, është liruar nga paraburgimi. Ai dyshohet për kryerjen e tri veprave penale. Aktualisht, ndaj Krasniqit është në fuqi masa e sigurisë që i ndalon t’u afrohet dëshmitarëve të rastit. Prokuroria Speciale ka refuzuar të përgjigjet lidhur me rrjedhën e këtij rasti dhe nëse është afër ngritja e aktakuzës ndaj tij. Por, për këtë ka folur avokati i Krasniqit, Virtyt Ibrahimaga.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, në prill të këtij viti, Policia e Kosovës kishte arrestuar Kryeshefin tashmë të pezulluar të KEK’ut, Nagip Krasniqin.

Nën dyshimet për keqpërordim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrimi të ndikimit dhe konflikti interesi, Krasniqi është mbajtur në paraburgim deri më 15 shtator. Me këtë datë, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka liruar Krasniqin nga paraburgimi, derisa ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë që t’i ndalohet afrimi ndaj dëshmitarëve të rastit. Atij i ndalohet shkuarja në KEK.

Gazeta Express ka pyetur Prokurorinë Speciale, e cila po e heton rastin, lidhur me atë nëse ka ndonjë të re dhe nëse është afër ngritja e aktakuzës, por kanë refuzuar të përgjigjen, pavarësisht se pyetjet u janë përcjellë disa herë.

Sipas avokatit të Krasniqit, Virtyt Ibrahimaga, procedura është akoma në fazën e hetimeve. Ibrahimaga i ka thënë Gazetës Express se Prokuroria ka kërkuar nga gjykata vazhdimin e masës për ndalim afrimi në KEK, por se ata janë ankuar këtij vendimi. Aktualisht thotë se po presin vendimin e Gjykatës së Apelit.

“Në çështjen e Nagip Krasniqi, procedura është akoma në fazën e hetimeve. Z. Nagip Krasniqi është vetëm në cilësinë e të dyshuarit. Prokuroria ka kërkuar nga gjykata vazhdimin e masës për ndalim afrimi në KEK me arsyetim për që ai mund të ndikojë në dëshmitarë që do të merren në pyetje. Pra, Prokuroria pretendon se që nga Prilli 2023 nuk ka intervistuar të gjithë dëshmitarët dhe deri sa ajo t’i intervistojë të gjithë dëshmitarët, z. Nagip Kransiqi të mos kthehet në vend pune. Prokuroria nuk tregon sa dëshmitarë i kanë mbetur për t’u intervistuar dhe ku do t’i intervistojë ata. Prokuroria ka pasur 7 muaj kohë që të intervistojë dëshmitarët.  Ne kemi ushtruar ankesë kundër këtij vendimi me datë 17.11.2023 dhe jemi në pritje të vendimit nga Gjykata e Apelit”, ka thënë Ibrahimaga.

Ai thotë se dyshimet ndaj klientit të tij janë të pabaza, derisa ka kërkuar nga Prokuroria që ta përfundojë hetimin.

Për Ibrahimagën, ky është nga rastet “që bëhet shumë zhurmë për asgjë”.

“Deri më sot Prokuroria është dashur që t’i marrë në pyetje dëshmitarët. Masa e ndalimit të afrimit është mjet i jashtëzakonshëm në fazë të hetimit dhe jo mjet standard hetimor për të akomoduar zonën e konfortit në barrë të të dyshuarve. Prokuroria i ka të gjitha provat dhe duhet te përfundojë hetimin. Dyshimet janë qartësisht të pabaza. Procedurat e tenderimit janë zhvilluar konform ligjit, kurse askush nuk ka përfituar asgjë dhe asnjë dem nuk iu është shkaktuar KEK nga këto procedura. Ky rast është tipik për rastet që bëhet shumë zhurmë për asgjë. Kjo procedurë e dëmton vetëm KEK-un”, thotë avokati i Krasniqit.

Sipas tij, Krasniqi s’ka kryer vepër penale.

“Prokuroria ka mandat të hetojë vepër penale dhe jo të hetojë nëse janë ndjekë procedurat e prokurimit si duhet apo jo. Këtë kompetencë e kanë organet e tjera dhe kjo s’ka të bëjë me vepër penale. Asnjë organ kompetent për interpretimin e ligjit te Prokurimit nuk ka konstatuar shkelje te ligjit të prokurimit. Edhe po të ishte shkelur, kjo shkelje nuk përben vepër penale”, deklaron Ibrahimaga.

Cili tender e çoi në burg Krasniqin?

Nga dita e arrestimit, nëpër media kanë qarkulluar shumë raportime lidhur me kontratat që mund ta kenë çuar në burg Nagip Krasniqin, i cili pas arrestimit u pezullua nga pozita e kryeshefit të KEK

Fillimisht u raportua se kontrata për të cilën u arrestua Krasniqi ishte ajo për riparimin emergjent të kalldajës së bllokut A-5 të Termocentralit Kosova A, që kishte vlerë 3.4 milionë euro. Kontrata për këtë tender që ishte dhënë me procedurë të negociuar, ishte nënshkruar më 27 janar të këtij viti.

Riparimi i kësaj kalldaje i ishte besuar grupit të operatorëve ekonomikë “Litëin SA; Bujar B. Shala B.I”.

“Punët e demontimit, Pastrimin dhe krijimin e kushteve për punë, Shqyrtimet në sistemin gypor dhe paimeve të demtuara dhe atyre që janë nën dyshimin e dëmtimit, Liferimin e paimeve të specifikuara, montimin e paimeve të reja, Sanimi i paimeve të dëmtuara, Ekzaminimin sipas standardeve për saldet në pjesen nën presion me 10%- me radiografi, Komisionimin e ftoftë dhe të nxehtë, që nënkupton; kthimin në punë dhe ekzekutimin e testit funksional të bllokut ; kontrrollat e sigurisë dhe dorëzimin e raportit për punët e kryera”, ishin punët që do të kryente ky grup i operatorëve ekonomikë.

Por, Korporata Energjetike e Kosovës kishte reaguar për këto raportime, duke i quajtur të pavërteta.

KEK kishte thënë se kjo kontratë është ndërprerë më 20 mars dhe se s’është realizuar asnjë pagesë në favor të operatorit.

“Kontrata për “Riparimin emergjent të kaldajës në Bllokun A5”, është nënshkruar ne fund të muajit janar të këtij viti, por që e njëjta është ndërprere më dt. 20.03. 2023 pasi që operatori ekonomik ka dështuar t’i plotësojë kushtet kontraktuale sipas kontratës se nënshkruar (dorëzimin e garancionit financiar për ekzekutimin e punëve). Prandaj është më rendësi të theksohet se KEK nuk ka pasur asnjë shpenzim financiar meqë asnjë pagese nuk është realizuar në favor të operatorit”, thuhejj në reagimin e KEK.

Edhe pse KEK e kishte mohuar, kishte qenë avokati i Krasniqit ai i cili e kishte konfirmuar se klienti i tij po dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare pikërisht për këtë kontratë.

“Vepra penale qe ngarkohet Nagip Krasniqi  ka të bëje me supozimin e Keqpërdorimit të detyrës zyrtare për përfitim për vete ose dikë tjetër. Dyshimi i bazuar sipas prokurorisë është ekzistimi i kontratës me Kompaninë Zvicerane për riparimin e kaldajës për bllokun A5. Kjo kontratë është shkëputur me datë 20.03.2023 nga vet Nagip Krasniqi. Asnjë pagese nuk ështe bëre. Prokuroria është e njoftuar me ketë detaj. Askush nuk ka përfituar. KEK nuk ka pasuar asgjë. Si rrjedhoje lidhur me ketë çështje nuk mund te ekzistoj vepra penale”, kishte shkruar Ibrahimaga në Facebook./Telenews/

Të ngajshme

Formimi i një komisioni të ekspertëve të kualifikuar për rishikimin e doracakëve është një hap i nevojshëm

KushtrimGuraj

Ç’surpriza ka përgatitur moti të premten dhe fundjavë në Kosovë?

KushtrimGuraj

Shkurte Fejza dhe Shaqir Cërvadiku publikojnë këngën “O Flamur”

Erzana Fazliu