Udhëzues praktik për të menaxhuar zgjuarjet e natës dhe për të rifituar gjumin e qetë
Zgjimi gjatë natës dhe paaftësia për të rënë sërish në gjumë është një shqetësim që prek shumë njerëz. Në vend që të qëndroni në shtrat duke u munduar të fikni sytë, ekzistojnë metoda efektive për të qetësuar mendjen dhe trupin tuaj, që ju ndihmojnë të rifitoni gjumin.
Sipas Dr. Robert Rauntry, specialist i çrregullimeve të gjumit, momenti kur zgjoheni nuk duhet të jetë arsye për stres shtesë. Ai këshillon që të mos detyroheni të qëndroni shtrirë në shtrat, veçanërisht nëse keni qenë 20-30 minuta pa arritur të riktheheni në gjumë. Kjo sjell vetëm tension dhe frustim, duke e bërë më të vështirë për t’u rikthyer në gjendjen e pushimit.
Një nga arsyet më të zakonshme që na zgjon gjatë natës është stresi i grumbulluar, mendimet për detyrat e papërfunduara dhe shqetësimet e përditshme. Këto mendime shpesh nuk merren parasysh gjatë ditës, por manifestohen natën kur hesht ambienti dhe truri ka më shumë hapësirë për t’u aktivizuar.
Në këto momente, Dr. Rauntry sugjeron që të largoni vëmendjen nga këto mendime dhe të angazhoheni në aktivitete relaksuese që nuk stimulojnë sistemin nervor. Për shembull, ndizni një dritë të butë, lexoni një libër me përmbajtje të qetë, ose dëgjoni muzikë relaksuese. Këto veprime ndihmojnë të ulni tensionin dhe ta “ndërprisni” ciklin e mendimeve shqetësuese.
Një paralajmërim i rëndësishëm është të shmangni përdorimin e telefonit, tabletit apo ndonjë pajisje me ekran në këto momente. Rrjetet sociale, lajmet apo mesazhet ngjallin ankth dhe nxisin prodhimin e hormoneve të stresit, që e bëjnë edhe më të vështirë rifillimin e gjumit.
Përveç aktiviteteve të mësipërme, ekzistojnë edhe disa mënyra natyrale që mund t’ju ndihmojnë të qetësoheni, si p.sh.:
▪ Një banjë e ngrohtë me disa pika vaj livandoje, që ka efekt qetësues dhe ndihmon në relaksim.
▪ Ushtrime të thjeshta të frymëmarrjes të thellë, të cilat ndihmojnë në uljen e ritmit të zemrës dhe stresit.
▪ Dëgjimi i zërave të natyrës ose muzikës ambientale që favorizojnë gjumin.
Në fund të fundit, ideja kryesore është të mos e shihni zgjimin gjatë natës si problem, por si një shans për të dhënë pushim mendjes dhe trupit. Duke ndjekur këto këshilla, do të rrisni shanset për të rifituar një gjumë të qetë dhe cilësor deri në mëngjes.