Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke thënë se nuk do të jetë një mekanizëm që do t’i përngjajë Republikës Srpska.
Chollet u shpreh se është me rëndësi që të formohet Asociacioni duke respektuar Kushtetutën e Kosovës.
“Më duhet të jem i qartë, kjo nuk është një marrëveshje që do t’i përngjajë Republikës Srpska”, ka thënë Chollet.
Siç raporton mediumi N1 në Beograd, ai nuk ka dashur të flasë rreth karakteristikave juridike të Asociacionit, duke thënë se detajet duhet të “rafinohen” nëpërmjet dialogut.
I pyetur lidhur me deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq se plani franko-gjerman përfshin njohjen e pavarësisë së Kosovës, Chollet ka thënë se SHBA mbështetë normalizimin drejt njohjes reciproke.
“SHBA mbështetë dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe qëllimi i saj është normalizimi në drejtim të njohjes reciproke”, ka deklaruar diplomati, duke shtuar se propozimi evropian është bazë negocimi dhe si i tillë është fleksibil.
Ndërkaq, sa i përket anëtarësimit të mundshëm të Kosovës në Kombet e Bashkuara, ai ka thënë se është një gjë e vështirë marrë parasysh kundërshtimet ruse dhe kineze, por ka thënë se SHBA do të vazhdojë të avokojë.

