Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka bërë të ditur se dy nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ende nuk kanë nisur të zbatojnë reformat e kërkuara në kuadër të Planit të Rritjes. Sipas raportimeve, këto vende janë Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, përkatësisht për shkak të mungesës së institucioneve efektive.
“Jemi mbledhur sot për të vlerësuar progresin, për të parë çfarë ka shkuar mirë me Planin e Rritjes dhe në cilat fusha duhet të bëjmë më shumë. Janë kaluar dy vjet nga katër që zgjat implementimi i planit, dhe është momenti i duhur për të diskutuar së bashku”, tha Kos gjatë samitit në Tiranë.
Ajo shtoi se dy vendet më të avancuara në këtë proces janë Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilat kanë përmbushur rreth 50% të reformave të dakorduara me BE-në.
Në samit, nga Kosova merr pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Raporti i BE-së për progresin vëren se Kosova nuk ka ratifikuar marrëveshjet që do t’i mundësonin përfitimin nga Plani i Rritjes, për shkak të “ngërçit politik”. Që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, vendi nuk ka formuar ende ekzekutivin e ri, gjë që ka bllokuar miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend.
Plani i Rritjes, një paketë investimesh prej 6 miliardë eurosh, synon të përshpejtojë rrugën e vendeve të rajonit drejt Bashkimit Evropian. Kosovës i janë ndarë rreth 900 milionë euro, duke e bërë atë përfituesen më të madhe për kokë banori nga këto mjete.
Analisti politik nga Shqipëri, Ben Andoni, vlerëson se Komisionerja e Zgjerimit të Bashkimit Evropian, Marta Kos, në Samitin për Planin e Rritjes që po mbahet në Tiranë, ka ‘shkundur’ Kosovën dhe Bosnjën me këshillat e saj.
“Zonja Kos merret më shumë me procedurat burokratike, nuk merret me element të tjerë. Kosovën dhe Bosnjën e ka shkundur me këshillat e saj – ju e dini që Kosova për dallim nga vendet e tjera për sa i përket statusit në momentin e aplikimit për të marrë statutin e vendit kandidat ka kaluar në premisa më të mira se të gjitha vendet e rajonit”.
Andoni, në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se është skeptik për heqjen e masave ndëshkuese për Kosovën nga Bashkimi Evropian.
“Por, Kosova përballet me vështirësi të mëdha si bllokimi i Parlamentit dhe që nuk ratifikoi një sërë marrëveshjes që do ti mundësonte disbursimin e fondeve të cilat Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria kanë filluar ti marrin. Kosova ka masën më të madhe për frymë të ndihmës që jepet nga Fondi i Zhvillimit, 2 miliardë janë fonde dhe 4 miliardë janë kredi të buta. Kurti bllokimi e Parlamenti e ka quajtur ushtrim demokracie – po mendoj që për Kosovën sot ka qenë një alarm për sa i përket elementit politik të vendit që të përfitojë sa më shumë që të paktën deri në qershor kur bëhet vlerësimi i të gjithë paketës – Kosova të jetë gati të marri diçka – jam skeptik për heqjen e masave ndëshkuese”, u shpreh Andoni.

