Telenews

Çka thonë numrat, Qeveri Kurti 3, apo opozita vjen në pushtet?

Pa llogaritur mbi 84 mijë vota nga diaspora, dhe votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta, në numra, kjo do të jetë përbërja e Kuvendit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Me gati 340 mijë vota, Lëvizja Vetëvendosje, ka fituar 47 deputetë.

Partia Demokratike e Kosovës do të ketë së paku 25 deputetë, me mbi 184 mijë vota.

Lidhja Demokratike me mbi 164 mijë vota ka 20 deputetë. Ndërkaq koalicioni AAK-NISMA sipas rezultateve preliminare me mbi 62 mijë vota zë 8 ulëse në Kuvend.

Lista Serbe ka 9 deputetë, 1 deputet i takon partisë së ministrit në detyrë, Nenad Rashiq. Ndërkohë 3 ulëse i takojnë komunitetit boshnjak, 2 atij turk, 2 egjiptianëve, dhe nga një deputet komunitetit rom, ashkali dhe goran.

Njeriu që i prinë partisë më të votuar në vend, Albin Kurti e ka përjashtuar çfarëdo bashkëpunimi me opozitën.

Ndërkaq nga partitë opozitare, AAK dhe PDK të paktën me Lëvizjen Vetëvendosja kanë thënë se nuk do të bëjnë kurrfarë koalicioni e LDK ka paralajmëruar se qëndrimin e vet politik do ta bëjë të ditur pas numërimit përfundimtar.

Kryeministrit të ri i duhen 61 deputetë. Vetëvendosje ka 47 dhe për të ardhur në pushtet i duhen të paktën edhe 4 deputetë, duke llogaritur këtu edhe 10 deputetët e komuniteteve joshumicë.

E nëse opozita bëhet bashkë me komunitetet joshumicë tash për tash i ka 63 vota.

Sigurisht kështu janë numrat por jo domosdoshmërisht realiteti, pasi që mund të ndërrojë numri i deputetëve por edhe nuk dihet kush me kë bashkëpunon.

Analistja politike Magbule Shkodra mendon se për shkak të sfidës që pritet pas një viti me zgjedhjen e presidentit, fituesi i zgjedhjeve por edhe opozita nuk janë fort të flaktë të vijnë në Qeveri.

“Nëse z. Kurti nuk arrinë ta formoj Qeverinë si i pari që e ka të drejtën atëherë opozita duhet të bashkëpunojë, të jenë konstruktiv, dhe të na dëshmojë që me të vërtetë brengosen për Kosovën dhe qytetarët e Republikës së Kosovës e kanë të vërtetë”, ka thënë Shkodra.

E procedurat janë këto. KQZ i certifikon rezultatet, e më pas përbërja e re e Kuvendit betohet dhe partia e parë e fiton të drejtën për të votuar të nominuarin e saj për ta udhëhequr Qeverinë.

“Nëse brenda 15 ditësh nga ofrimi i mandatarit të partisë fituese drejt Presidencës nuk bëhet përgatitja për kabinet dhe votimi i kabinetit në Kuvend, atëherë Presidentja ka të drejtë me Kushtetutë që ta nominoj një tjetër mandatar të asaj partie e me një vendim të Gjykatës Kushtetuese ose të një partie tjetër, të dytës”, ka thënë eksperi i cështjeve juridike kushtetuese, Mazllum Baraliu.

Baraliu shton se nëse edhe mandatari i dytë për 10 ditë nuk i siguron votat, atëherë Presidentja e dërgon vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat mbahen brenda 40 ditësh./REL

Të ngajshme

Kallas dhe Kos për zgjedhjet e 9 shkurtit: Presim konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë

KushtrimGuraj

Cakolli: Nuk pres përmbyllje të ciklit zgjedhor para marsit

KushtrimGuraj

Vazhdon numërimi i votave për deputetë, por sistemi i KQZ-së me probleme

KushtrimGuraj