Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufi sot në një konferencë për media ka bërë të ditur se është ngritur aktakuzë për sulmin terrorist të Banjskës, ndaj 45 të pandehurve të përfshirë në këtë rast.
Pas konferencës, edhe gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani përmes një lidhje direkte tha se kryeprokurori Blerim Isufi dhe Naim Abazi, prokurori i rastit në Banjskë, aktakuzën e pritur tash e një vjet, e konsideruan si një aktakuzë të fortë, me shumë prova dhe me shumë dëshmitar, të cilët janë intervistuar në vendin e ngjarjes, ata të cilët dyshohet që kanë pasur të bëjnë diçka në lidhje me rastin dhe ata që kanë informacione.
“U bë me dije që përveç provave që janë marrë në Kosovë dhe përveç intervistimeve që kanë bërë këtu, kanë pasur bashkëpunim edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vende të tjera për raportet që edhe ata i kanë hartuar në Banjskë të Zveçanit”, u shpreh tutje Tërshani.