Komunës së Prishtinës i ka dal një telashe e madhe më kompanitë e ndërtimit. Ato po i shkëpusin kontratat që kanë më këtë komunë dhe po lenë punët në gjysmë, krejt kjo po bëhet për shkak se ato nuk po mund të përballojnë ngritjen e çmimeve që ka ndodhur muajve të fundit. Komuna po detyrohet që kontrata të shkëputet me marrëveshje miqësore.
Punët që u kontraktuan në vitin e kaluar me çmime të tregut të atij viti, janë në rrezik që të pezullohen të gjitha. Në fakt të shkëputën kontratat për shkak të çmimeve të larta të naftës dhe materialit ndërtimor.
Inflacionin rëndë po e përjeton Komuna e Prishtinës, të cilës deri më tani i janë boshatisur punishtet nga kompanitë në rreth dhjetë sosh.
Krenar Xhaferi, drejtor i Investimeve kapitale dhe menaxhimit të kontratave në Prishtinë ka folur rreth këtij problemi madhor. Ai ka thënë se qeveria nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim, të paktën për të subvencionuar kontratat dhe mandej kompanitë kanë qenë të detyruara që të largohen.
“Janë rreth 10 kontrata që janë shkëputur. Kompanitë nuk kanë mundur të përballojnë këtë ngritje të çmimeve. Subvencionimi prej qeverisë nuk ka ardhur dhe është dashur që të shkohet deri tek shkëputja e kontratës. Ne do të jemi të detyruar që të njëjtat të ri tenderohen, pra të futen në procedurë të prokurimit nga zero. Normalisht se çmimet tash do të bazohen në këto të tregut, por për shkak se ka pasur punime në ato projekte, ato do të zvogëlohen në ri tenderim. Pra projekti do të jetë për aq punë sa kanë mbetur pa u kryer”, thotë drejtori Xhaferi.
Ai thotë se një situatë e njëjtë është në krejt Kosovën.
“Tashmë ne i kemi përgatitur edhe për ri tenderim ato. Kriza ka ardhur nga muaji mars, dhe shumica e kontratave nga ajo kohë nuk kanë startuar. Kjo nuk ka ndodhur vetëm tek ne, por kjo është në nivel shtetërorë. Ideja është se njerëzit po presin një subvencionin të kontratës për të ecur tutje”, tha tutje ai.
Periskopi ka parë dy kontrata e fundit që janë shkëputur në mes Komunës së Prishtinës dhe operatorëve ekonomik. Bëhet fjalë për kontratën “Rikonstruimi dhe ndërtimi i rrugëve Malush Kosova, Ilir Konushevci, Ahmet Krasniqi, Gjergj Balsha dhe Toni Bler, Shkelzen HAradinaj – faza e II-te, Uran Ajeti, Aziz Abrashi”. Ky tender ka qenë i ndarë në 7 pjesë (lot). Pra për të janë lidhur 7 kontrata.
Për lot 7, “Ndërtimi i rrugës Aziz Abrashi”, ishte lidhur kontratë me kompaninë “Eskavator” në vlerë prej 199 590,63. Për lot 6 “Ndërtimi i rrugëve Uran Ajeti”, është lidhur kontratë më “NOTI-BETON ” SH.P.K. në vlerë prej 206 724,93 euro. Rrjedhimisht kontrata është shkëputur për të këto dy pjesë, të këtij tenderi. Arsyetimi ka qenë për çmimet ngritura.



Çmimet janë në trend të rritjes edhe më shumë për shkak të krizës në tregje që ka shkaktuar lufta në Ukrainë. Pos që është prekur kualiteti i jetës së qytetarëve, punën hiç mirë nuk e kanë as bizneset e mëdha e të mesme.
Janë rreth 700 milionë euro të cilat institucionet publike shpenzojnë përmes procedurave të prokurimit publik, duke lidhur kontrata, si për shërbime, punë e furnizime me bizneset në Kosovë.
Periskopi mëson se bizneset që kanë lidhur kontrata në vitin e kaluar me institucionet publike, e kanë bombarduar shtetin me kërkesa për rishikimin e tyre për shkak të ngritjes së çmimeve.
Sipas Ligjit të Prokurimit Publik, nuk mund të ndryshohet më çmimi pasi të lidhet kontrata. Kësisoj kontratat po nënshkruhen më marrëveshje dy paleshe, sipas LPP-së e njohur si “marrëveshje miqësore’.
Kontratat që nënshkruhen në mes institucioneve publike dhe kompanive janë një vjeçare dhe tri vjeçare. Tashmë janë qindra kontrata në implementim e sipër që janë nënshkruar në vitin e kaluar, ose para dy viteve.





