Me një zë të fuqishëm dhe performancë që la gjurmë, Dafina Aliu u ngjit në skenë duke përcjellë forcën, guximin dhe shpirtin e një gruaje.
Kënga “E fortë si arrë”, me tekst të shkruar nga Afërdita Saraçini Kelmendi dhe kompozim e orkestrim nga Xhevdet Gashi, u shndërrua në një prej interpretimeve më të përfolura të mbrëmjes.
Dafina jo vetëm që dominoi skenën me energjinë dhe prezencën e saj artistike, por arriti edhe të prekte publikun me emocionin e sinqertë që e shoqëroi gjithë performancën. Ajo u vlerësua lart nga juria, duke marrë katër pikë jeshile dhe një varg komentesh pozitive.
Njëri nga anëtarët e jurisë e krahasoi atë me një prej figurave më të mëdha të muzikës shqiptare, ikonën Vaçe Zela: “Je e fortë si gjitha rr-të që përdor. E nëse të bëj një krahasim, me një këngëtare shqiptare, ti je si Vaçe Zela”.
Një tjetër anëtar i jurisë vlerësoi fuqinë e karakterit të saj artistik, duke theksuar: “Ke karakter, personalitet, je kaq dinamike, na hipnotizove të gjithëve, je artiste e bravo të qoftë!”.
Performanca e Dafinës Aliu u cilësua si një ndër më të veçantat e natës, ndërsa krahasimi me Vaçe Zelën e vendos këngëtaren e re në një nivel të ri respekti dhe pritshmërish nga publiku. /Telegrafi/

