Rezultati i duelit ndërmjet Oleksandr Usyk dhe Daniel Dubois mund të ndryshohet, pasi pamje të reja nga momenti i përfundimit të duelit kanë filluar të qarkullojnë në internet.
Pas një fitoreje të diskutueshme të Usyk në përballjen e parë në Wroclaw në gusht të vitit 2023, dy boksierët u takuan sërish në një ndeshje për titullin e padiskutueshëm të peshave të rënda, përballë 90,000 tifozëve në Wembley.
Usyk erdhi në këtë duel pas fitoreve të mëdha, përfshirë edhe triumfin ndaj Tyson Fury. Ndërkohë, Dubois ishte në formë të mirë pas tre fitoreve radhazi, ku veçohej edhe nokauti mbresëlënës ndaj Anthony Joshua.
Megjithatë, Usyk dëshmoi edhe një herë se është kampioni absolut në divizion, duke e mposhtur Dubois në raundin e pestë, vetëm 1 minutë e 52 sekonda pas fillimit, pas një goditjeje të fuqishme me dorën e majtë.
Ukrainasi i pamposhtur i mbrojti titujt në versionet WBA (Super), WBC, WBO, IBO dhe The Ring, ndërsa i shtoi koleksionit të tij edhe titullin IBF të Dubois.
Zyrtarisht, rezultati u regjistrua si fitore me nokaut për Usyk. Megjithatë, një klip që po qarkullon në rrjetet sociale sugjeron se situata në ring mund të ishte ndryshe. Sipas pamjeve të ndara nga Darren Aston në platformën X (ish-Twitter), shihet ekipi i Dubois duke hedhur peshqirin gjatë momentit kur ai ishte në dysheme.
Sipas rregullave të boksit, nëse nga këndi i një boksieri hidhet peshqiri, ndeshja konsiderohet e përfunduar me nokaut teknik (TKO) – pra, jo një nokaut i pastër. Aston shton se gjyqtari nuk e pa peshqirin dhe vazhdoi me numërimin, duke përfunduar menjëherë ndeshjen sapo Dubois nuk dha reagim të menjëhershëm.
Ndërkohë, raportime të tjera përflasin se përgatitja e Dubois për këtë ndeshje nuk ishte ideale. Thuhet se ai mori pjesë në një festë në rezidencën e tij në Essex, e organizuar nga babai i tij, Stanley.
Video nga ngjarja janë publikuar online, ku pretendohet se Dubois është larguar herët, pasi nuk njihte shumicën e të pranishmëve. Ai mbërriti në Wembley rreth orës 20:20, më pak se dy orë para hyrjes në ring, ndërsa Usyk kishte mbërritur shumë më herët dhe ishte parë duke lexuar një libër në prapaskenë.