Për shumëkënd ftesa e Kryeministrit Albin Kurti për darkë me krerët e opozitës, katër ditë para takimit të Komitetit të Ministrave që do duhej të vendoste se a do të hyjë në agjendë anëtarësimi i Kosovës në KiE, përbënte një manovër të tij për të mbuluar dështimin që po vinte. Pas darkës me kreun e PDK’së Memli Krasniqin, Kurti ftoi bashkëdrejtuesit e Listës Guxo, ndërsa mbrëmë vazhdoi me partnerë të koalicionit dhe përfaqësues të pakicave – zgjedhjet ishin në meny. Por, a e ka seriozisht Kryeministri?
Kryeministri Albin Kurti po i vazhdon takimet me partitë politike në restorantin e tij të preferuar në Prishtinë. Në darkat që po i shtron po diskutohet edhe shkurtimi i mandatit të qeverisjes së tij para afatit të rregullt.
Por, për këtë ai e ka vendosur një kusht, nuk do të jap dorëheqje por kërkon që opozita të unifikohet dhe ta shpërndajë Kuvendin, një variant në të cilin edhe partia e tij VV do duhej t’i jepte votat.
Duke e parë deponimin në kampin opozitar, deri më tani vetëm PDK është shfaqur e gatshme për opsionin e shpërndarjes së Kuvendit, dy ditë pas takimit me kreun e PDK’së, ai “kërcënoi” ata.
“Opozita duhet të bëhet gati për zgjedhje. Ne jemi gjithmonë gati, përndryshe nëse ata janë rehat, shkon mandati deri në fund”.
Për t’a mbajtur këtë çështje aktuale, deputeti i VV’së Dimal Basha tha se do të ishte mirë që zgjedhjet të mbahen në shtator apo nëntor, para dimrit.
“Qeveria është rehat në punën e saj, por kryeministri iu ka dhënë ofertë opozitës, nëse nuk ju pëlqen ulemi diskutojmë e bëjmë një datë dhe e shpërndajmë Kuvendin”, tha ai.
“Mendoj se nuk është forma më e mirë me i maltretua qytetarët që midis dimrit me i dërgua në zgjedhje, ngase është konsumua gati mandati, edhe prej shtatorit Presidentja ka të drejtë me i thirr partitë politike, por nuk është se kundërshtojmë me shkuar edhe ma herët në zgjedhje në dakordim me opozitën”, ka shtuar Basha.
Ish -deputeti i VV’së Haki Abazi darkat e Kurtit i komentoi nga një kënd tjetër.
Sipas tij, dikur në Vetëvendosje i kishin thënë se tema të tilla nuk i diskutojnë në restorane.
“Në vitin 2007 Kurti dhe miku i tij Liburn Aliu në një takim në Pejton ndër të tjera më thanë: ‘Ne në restaurant nuk flasim për gjërat publike e çështjen e kombit’”.
“ Shikoja me habi e ata insistonin që “restauranti, mishi e pijet e trubullojnë kokën e njerëzve”. Sikur kjo të ishte hipokrizia e vetme!” shkroi tutje Haki Abazi.
“Sot, Kryeministri i Nenadit që ju dërgon lule shqiptarëve të vdekur, dhe shtron darka e thurrë vargje për Oliver Ivanoviçin…“Darka e gabuar” është roman i Ismail Kadaresë që duhet lexuar!” përfundoi ai.
Darkat e deritashme
Ndonëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ftesën e tij për takim me partitë opozitare e kishte arsyetuar me përmbushjen e agjendës legjislative të Kuvendit të Kosovës, tema e zgjedhjeve të reja dhe mundësia për rrëzimin e Qeverisë po diskutohen gjithandej.
Madje kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili ka qenë i vetmi që i ka shkuar Kurtit në darkë nga opozita, e ka thënë edhe publikisht se në takimin me Kurtin përveç temave që lidhen me Kuvendin, do të flasë edhe për kërkesën e PDK-së për zgjedhje të reja.
Se kanë folur për zgjedhjet e reja është konfirmuar edhe nga komunikata për media e Zyrës së Kurtit e lëshuar pas darkës më 14 maj.
“Krahas kësaj, u diskutua edhe për aktualitetin politik, ecjen e Republikës së Kosovës në integrimet ndërkombëtare, dhe për mundësitë për zgjedhjet e reja në të ardhmen e afërt, teksa Qeveria ka hyrë në vitin e fundit të mandatit të saj”, thuhej në komunikatë.
Dy liderët tjerë opozitarë, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj, s’kanë pranuar të shkojnë në darkë. Abdixhiku e ka konsideruar si të vonë një përpjekje të tillë të Kurtit dhe ka thënë se për çështje që lidhen me Kuvendin diskutojnë në Kryesit të Kuvendit.
Abdixhiku sa i përket zgjedhjeve të reja ka thënë se LDK është e gatshme, nëse Kurti jep dorëheqje.
Megjithatë Kurti s’është ndalë vetëm tek partitë opozitare. Kreu i Qeverisë ka shtruar një darkë edhe për partnerin e tij të vogël të koalicionit, partinë GUXO që drejtohet nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci.
Kurti temën e zgjedhjeve të reja ua ka hapur edhe partnerëve të tij të koalicionit të cilët i ka takuar më 15 maj, një ditë pas Krasniqit.
“Gjatë darkës u zhvillua një diskutim përmbajtësor mbi zhvillimet aktuale, arritjet dhe sfidat e përmbushjes së agjendës legjislative si dhe planet për të ardhmen, me fokus në agjendën legjislative në interes shtetëror dhe përtej vijave ndarëse politike.
Në takim u trajtuan edhe kërkesat dhe qëndrimet e opozitës aktuale në Kuvendin e Kosovës lidhur me procesin zgjedhor”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Përveç PDK-së e GUXO-s, Kurti ka shtruar darkë edhe për përfaqësuesit e partive politike nga grupet e komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Kosovës. Në takim kanë marrë pjesë, zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, ministry i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka dhe ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, Kryetari i Grupit Parlamentar multietnik Enis Kervan, nënkryetari I Kuvendit, Bahrim Shabani, deputetët, Fidan Jilta, Fridon Lala, Duda Balje, Samra Ilijaz, Bekim Arifi dhe Erxhan Galushi.
Përveç diskutimit për agjendën legjislative dhe rëndësinë e dinamikës së miratimit të Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe ligjet e rëndësisë së veçantë, Kurti ka folur edhe për atë se kur do të ishte koha e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Kryeministri Albin Kurti, informoi partnerët e koalicionit për procesin e konsultimeve politike me partitë parlamentare, si dhe theksoi rëndësinë e vendimmarrjes së përbashkët për proceset e ardhshme demokratike, përfshirë edhe diskutimin se cila është koha më e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kurtit për darkën me përfaqësues të komuniteteve joshumicë.
Nuk dihet nëse kryeministri Albin Kurti do të ftojë për një darkë të ngjashme edhe përfaqësuesit e Listës Serbe të cilët kanë dhjetë ulëse në Kuvendin e Kosovës dhe kanë ndikim të madh tek serbët që jetojnë në Veri të Kosovës.
Sido që të jetë, duke e ditur disponimin tek partitë politike të cilat mund të mos bëhen bashkë për mënyrën e shkuarjes në zgjedhje, darkat e Kurtit shihen edhe si manovra të tij për të imponuar një temë tjetër në diskurs, të ndryshme nga ato që lidhen me dialogun.

