Deklaratat e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, e më pas edhe të kryeministrit Albin Kurti, për të ardhurat e Njësisë elitare të Policisë së Kosovës, kanë ngjallur shumë regime.
Fillimisht me reagime të ashpra u përcoll protesta e dy njësive elitare të Policisë së Kosovës para Qeverisë, duke kërkuar shtesa më të larta për rrezikshmëri.
Krerët e partive opozitare e kanë cilësuar pushtetin nënçmues ndaj kërkesa të tyre.Më vonë nga pushteti i pari që reagoi ishte Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sveçla ka thënë se të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro.
Ministri ka shtuar se ka qenë gjithmonë synim i tyre përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi i pajisjeve që mbrojnë jetën e zyrtarit policor si dhe trajtimi dinjitoz e i drejtë i tyre.
“Teksa për dallim nga kohërat e mëhershme, kur kompensimet për angazhimet shtesë nuk janë zbatuar fare, ne kemi kompensuar ato pa vonesa. Të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro”, ka thënë ai ndër të tjera.
E më vonë reagoi edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka deklaruar se Njësiti Special Intervenues të ardhurat mesatare i ka pasur sivjet mbi 2.200 euro, e sipas tij, tash do t’i marrin edhe nga 150 euro me shtesën e rrezikshmërisë.
Ai ka shkruar në Facebook të mërkurën se në fund të nëntorit, pos pagës së rritur, do të marrin 1.350 euro neto retroaktivisht.
Kurti ka theksuar se nevojat, jo vetëm dëshirat, “janë përherë e shumë herë më të thjeshta se zgjidhjet”.
“Nevojat, jo vetëm dëshirat, janë përherë e shumë herë më të thjeshta se zgjidhjet. Jetojmë në Kosovë, ku BPV për kokë banori në muaj është rreth 460 euro. E sivjet, 2.134 policë të Kosovës, apo gati 27% morën më shumë se 1.000 euro në muaj mesatarisht. Janë 203 policë të Kosovës që sivjet patën të ardhura më të larta sesa Presidentja e Republikës (1.890 euro bruto, koeficienti 18), e në muajt qershor e korrik ishin afër 700 sosh (ku sigurisht bëjnë pjesë shumica absolute e pjesëtarëve të NjSI)”, thuhet në statusin e kryeministrit.
Kurti ka potencuar se secili pjesëtar i NJSI-së ka pajisje në vlerë prej 10.000 eurove.
Partitë opozitare kanë reaguar ashpër pas këtyre dy reagimeve të Kurtit e Sveçlës.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shkruar se paga e policëve neto është 550 euro, kurse bruto 630 euro. Ai thotë se për t’i marrë 2200 euro pagë siç edklaroi kryeministri Albin Kurti, pjesëtarët e Njësisë Speciale duhet të luftojnë me kriminelë e terroristë me nga 20 orë punë në ditë, e me nga 4 orë gjumë.
Ai ka shkruar tutje se një Qeveri normale nuk do të lejonte që njësitin elitar të Policisë ta kishte në protestë.
“Por Qeveri normale nuk ka ky shtet. Ka mashtrues që nxisin turma edhe në këtë temë. Edhe një përplasje e re. Edhe një propagandë. Sikurse me minatorë, mësues, polic e me secilën shtresë në këtë vend”, ka shkruar Abdixhiku.
E kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se nuk është në rregull që të kemi njësi elite të nivelit botëror e të paguhen me 600 ose 650 euro.
”E kam parë me dhembshuri para të gjitha sepse ka qenë fotografia që nuk kisha dashur ta shohim kurrë aq më shumë kurrë vetëm disa javë pas zhvillimeve në veri të vendit ku pikërisht njësia speciale e intervenuese ishin heronjtë të linjës së parë”, tha Krasniqi ndër tjera, teksa shtoi se Njësia Speciale i ka dhanë Kosovës një fitore të një beteje të rëndësishme kundër terrorizimit dhe sulmit agresiv ndaj Kosovës.
Krasniqi tutje shtoi se ne çdo situate në veri ka një garë kush po bën fotografi me policë.
”Kemi fjalë e gojën plotë në mbështetje të Policisë, në çdo situate në veri ka një garë kush po bën fotografi me polic kush po i poston e po thurë lavde, nuk i duhen atyre lavde më shumë sesa që i kanë marrë pre popullit te vetë, ata duhet të kenë kushte”, tha Krasniqi.
Krasniqi ndër tjera shtoi se “Nuk është në rregull që të kemi njësi elite të nivelit botëror e të paguhen me 600 ose 650 euro”, ka thënë Krasniqi.
E gjatë ditës edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj pati një thirrje për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ai tha se Policia e Kosovës ka të drejtë dhe Kurti duhet ta respektojë atë.
E nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku i ka quajtur skandaloze reagimet e Sveçlës e Kurtit.
“Çfarë reagime skandaloze nga ana e Kryeministrit dhe Ministrit të PB për protestën e njësive elitare policore. Përplot të pavërteta, gjysëm të vërteta, vajtime, ankesa. Mjerim”, ka shkruar ajo.
Pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës dhe të Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive protestuan dje para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar rishikimin e kategorizimit për rrezikshmërinë në punë.
Këto dy njësite elitare të Policisë thanë se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave të tyre, teksa kërkuan që të mos luhet me dinjitetin e tyre./Telenews/