Analisti Arton Demhasaj vlerëson se kryetarët e komunave veriore nga PDK, të dalur nga zgjedhjet e 23 prillit, janë më të dëgjueshëm ndaj partnerëve ndërkombëtarë se ata nga VV.
Ai këtë e konstaton me faktin se vetëm dy kryetarët nga PDK-ja ishin sot në takim me ambasadorin amerikan, Hovenier.
“As katër kryetarët e dalur nga zgjedhjet e 23 prillit nuk kanë një harmoni të të vepruarit. Nëse i shohim dy kryetarët e dalur nga Partia Demokratike, janë më të dëgjueshëm ndaj kërkesave të partnerëve tanë ndërkombëtarë”.
Atij iu përgjigj kryetari i Zubin Potokut i cili tha se komunat kanë specifika të ndryshme porse kryetarët kanë raporte të mira mes vete.
“Situatat janë të njëjtë, por specifikat mund të ndryshojnë. Neve kemi specifikat tona kurse situatën e kemi të njëjtë edhe veprimtarinë. Mirëpo jo që kemi ndonjë komunikim mes veti për shkak të agjendave tona specifike. Unë mendoj se mirë qëndrojmë edhe për sa i përket raporteve tona të përbashkëta”, tha Izmir Zeqiri në emisionin special në Tëvë 1 për zhvillimet në veri.
E Demhasaj shtoi se të gjithë kryetarët do të duhej të kishin një koordinim me ministrinë e Pushtetit Lokal, por edhe me kryeministrin.
“Informatat në media janë që ka pasë ftesë për katër kryetarët e komunave. Dy kryetarët e VV-së nuk i janë përgjigj ftesës së atij takimi. Kur flasim për koordinimin e kryetarëve, kur je kryetar nuk është vetëm linja e vetme koordinimi me partitë politike. Në këtë situatë kaq të jashtëzakonshme duhet me e pasë një koordinim edhe me ministrin e Pushtetit Lokal dhe një koordinim direkt edhe me kryeministrin. Fakti që dy kryetarët e VV nuk kanë marrë pjesë në takim, po flasim për moskoordinimin e këtij operacioni, sa i përket çështjes së veriut me partnerët ndërkombëtarë”, deklaroi Demhasaj.