Leicester City u dënua me heqjen e gjashtë pikëve sepse shkeli rregullat financiare të fitimit dhe qëndrueshmërisë (PSR). Konkretisht, klubi pati humbje financiare më të mëdha sesa lejohet gjatë periudhës trevjeçare deri në sezonin 2023-24.
Sipas rregullave, klubet nuk lejohen të humbin mbi një kufi të caktuar financiar, edhe pse ky kufi ulet për ekipet që bien nga Premier League, sipas BBC Sports-it.
Autoritetet vlerësuan se Leicester nuk e respektoi këtë limit, prandaj EFL-ja (Liga Anlgeze e Futbollit) aplikoi dënimin me gjashtë pikë minus në Championship.
Si pasojë, “dhelprat” bien nga vendi i 17-të në të 20-n në Championship dhe mbeten jashtë zonës së rënies vetëm falë diferencës së golave.
Vendimi lidhet me shkeljen e rregullave të fitimit dhe qëndrueshmërisë financiare (PSR) për periudhën deri në sezonin 2023-24.
Klubi reagoi me zhgënjim ndaj vendimit, duke e cilësuar atë të tepruar. “Ndërsa gjetjet e komisionit e reduktuan ndjeshëm shkallën e sanksionit të kërkuar fillimisht nga Premier League, rekomandimi mbetet joproporcional dhe nuk pasqyron në mënyrë adekuate faktorët lehtësues”, thuhet në deklaratën e Leicesterit. Klubi shtoi se po e shqyrton vendimin në detaje dhe po vlerëson hapat e mëtejshëm ligjorë, transmeton KosovaPressi.
Skuadra po kalon një periudhë të vështirë edhe në fushë, duke mos fituar në katër ndeshjet e fundit në Championship, ndërsa aktualisht është pa trajner të përhershëm pas shkarkimit të Marti Cifuentes në janar.

