Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, ka thënë se ka deputetë brenda VV-së, që janë të shqetësuar për raportet me ShBA-në.
Ai në “Debat Plus” tha se këto çështje diskutohen vazhdimisht brenda grupit parlamentar.
Korencia theksoi se raportet me ShBA-në nuk cenohen me qëllim.
“I marrim me shqetësim, i diskutojmë në takime me grupin parlamentar, por që pajtohem. Ka njerëz që janë të shqetësuar sa i përket situatave kur kemi këtë mospëlqyeshmëri të situatave të caktuara të cilat dalin publike nga SHBA. I trajtojmë me shqetësim që të mos cenohen raportet. Nuk besoj që raportet cenohen me qëllim, sepse atëherë do ishin skandaloze”, tha ai.
ai e ka komentuar raportimin e ‘Reporteri’, ku thuhet se niveli i bashkëpunimit dhe i takimeve në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe zyrtarëve të ShBA-së është limituar.
Korenica në tha se nëse kjo është e vërtetë, atëherë do të jetë tepër shqetësuese, derisa shtoi se duhet ta presin konfirmimin në mënyrë që të dihet me siguri.
Tutje Korenica tha se Qeveria e Kosovës mban takime ditore e javore me ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.
“ShBA-ja është partner shumë i rëndësishëm, na ka ndihmu në shumë procese që i kemi kalu dhe i kalojmë. Jam i bindur se Qeveri mban kontakte javore me përfaqësues të ShBA-së në Kosovë me Hovenier. Qeveria do të merret me këtë situatë apo këtë deklaratë apo vendimmarrje, që pritet ndoshta të jetë e konfirmuar, nuk e dimë tani për tani. Qeveria ka bashkëpunim ditor e javor dhe të thellë me SHBA-në, që janë partner të rëndësishëm në rrugën tonë”, tha ai.
Tutje Korenica tha se në dialogun me Serbinë Kosova është treguar konstruktive, kurse Serbia jo.