Telenews

Deputetja e LDK-së: Nuk e votojmë buxhetin, do ta dërgojmë në Kushtetuese

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se buxheti për vitin 2023 nuk i adreson nevojat e qytetarëve dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet vendi.

Bajrami ka thënë se buxheti as nuk është i shpërndarë si duhet e as nuk reflekton premtimet e qeverisë.

Në një intervistë për Ekonomia Online, deputetja e LDK-së, ka pasur kundërshtime për paragrafin 6 të nenit 9 të këtij projektligji për buxhetin ku thuhet se ‘Të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar’.

Ajo këtë e ka quajtur antikushtetuese.

Kritikë tjetër e Bajramit është edhe shuma e mjeteve në kuadër të kontigjencave të ministrisë dhe të Fondit për Ringjallje Ekonomike. Sipas saj, nuk ka informata sesi do të shfrytëzohen.

“Ne kemi provuar që t’i shpalosim vërejtjet tona. Për neve buxheti nuk kompenson as normën e inflacionit dhe ju e dini që gjatë këtij viti qytetarët e vendit po përballen me një normë të lartë të inflacionit dhe shikuar nga kjo perspektivë të gjithë zërat buxhetorë në terme nominale kanë ngritje, por të them të drejtën të gjitha janë më të vogla sesa norma e inflacionit. Ajo çfarë ne kemi vërejtur është jo transparenca, në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, janë afro 270 milionë euro të cilat janë në kuadër të kontigjencave të ministrisë dhe të Fondit për Ringjallje Ekonomike, fonde këto që nuk e di askush prej deputetëve sesi do të shfrytëzohen, pra nuk ka projekte, nuk ka plan e as vizion, dhe ato mbeten që gjatë vitit 2023, Ministria e Financave të vendosë sesi do t’i shpenzojë”, tha Bajrami.

Deputetja e LDK-së ka thënë se është normale që për çdo vit të ketë rritje të buxhetit. Sipas saj, rritje të tillë ka pasur edhe në kohën e pandemisë, kur kishte një mbyllje totale. Por në fakt, Bajrami thotë se rritje të buxhetit nuk mund të ketë, nëse krahasohet me normën e lartë të inflacionit.

Bajrami ka kritikuar qeverinë edhe për lënien e 677 milionë euro të pashpenzuara.

Ndërsa për paralajmërimet e qeverisë se do t’ua marrë komunave mjetet vetanake të pashpenzuara, Bajrami e quan antikushtetues. Thotë se nëse ky nen nuk largohet nga projektligji për buxhetin, i njëjti do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Në fund, deputetja e LDK-së, ka thënë se partia e saj nuk do ta votojë Buxhetin për vitin 2023.

Të ngajshme

Protesta e sotme në Tiranë, policë e protestues të lënduar në sy po trajtohen në spitale

Rrezarta Ramaj

Policia nis shpërndarjen e protestuesve në Tiranë me ujë me presion dhe gaz lotsjellës

Rrezarta Ramaj

Pas shumë aludimesh, publikohet fotografia e parë e Elvana Gjatës me partnerin e përfolur!

Rrezarta Ramaj