Bojan Jevtiq, zyrtari policor i arrestuar nën dyshimet për spiunazh, është dërguar sot në ambientet e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ai u shoqërua nga zyrtarët e Inspektoratit Policor të Kosovës, nën masa të shtuara sigurie.
Një ditë më parë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pas përfundimi të operacionit të zhvilluar në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, njoftuan se kishin arrestuar togeri policor Bojan Jevtiq nën dyshimin për spiunazh.
Në njoftim thuhet se i dyshuari u dërgua në mbajtje për 48 orë, ndërkaq iu sekuestruan dokumente konfidenciale të Policisë, para, armë e muncion.
“Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit në një fshat të Kamenicës janë sekuestruar prova materiale sic janë: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mencur, usb, një armë e shkurtë, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 euro, 2 milionë denarë serbë, 600 franga zvicerane dhe prova tjera të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore”, thuhet në njoftim.
Inspektorati Policor i Kosovës bën të ditur se ka rekomanduar suspendimin e togerit policor i cili ka qenë i angazhuar në pozitën e shefit të operativës në policinë kufitare në pikë kalimin kufitar “ Dheu i Bardhë”.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, brenda afatit ligjor në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, do të parashtroj kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.
