Detaje tronditëse kanë dalë nga tentim-vrasja e ndodhur në fshatin Strellc të komunës së Deçanit, ku Elbasan Ukaj u bë cak i një sulmi me armë zjarri, në atë që burimet e Sinjalit e përshkruajnë si një atentat të mirëplanifikuar.
Sipas informacioneve ekskluzive të Sinjalit, Ukaj ishte duke lëvizur me kamionin e punës, kur nga zona e malit doli një person i armatosur me kallashnikov dhe shtiu disa herë në drejtim të kabinës së automjetit, duke tentuar ta ekzekutojë atë në vend.
Burimet tona theksojnë se sulmuesi është larguar i qetë nga vendi i ngjarjes, i bindur se e kishte lënë të vdekur viktimën. Por fatmirësisht, Ukaj ka shpëtuar dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, nën mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës, për shkak të natyrës serioze të sulmit dhe mundësisë së ndonjë rreziku të mëtejmë.
Ngjarja ka ndodhur jo larg shtëpisë së Ukajt, gjë që forcon dyshimet se atentati ishte planifikuar me kujdes, me njohuri të saktë për lëvizjet dhe rutinën e tij ditore.
Në vendngjarje kanë dalë njësitet e hetimeve dhe krimteknika, të cilët kanë sekuestruar gëzhoja dhe janë në kërkim të pamjeve apo provave të tjera që mund të çojnë në identifikimin e autorit.
Rasti është duke u trajtuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërsa hetuesit nuk e përjashtojnë mundësinë që sulmi të ketë prapavijë personale, ekonomike apo edhe ndërlidhje me aktivitete kriminale.
Sinjali do të vijojë të raportojë me saktësi dhe burime të verifikuara për zhvillimet që pritet të zbardhin motivin dhe autorin e këtij sulmi të rëndë.