Telenews

Detaje nga therja e të riut në Istog: 25-vjeçari denoncoi në Polici tre vëllezër, Policia i liroi pasi zbuloi se nuk ishin të përfshirë

Pasditen e djeshme në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Saradran të Istogut, 25-vjeçari, Gentonis Madanaj, mbeti i plagosur nga një sulm me thikë që iu bë nga disa persona të panjohur. Ka qenë nëna e Gentonisit ajo e cila me të parë djalin në gjendjen në të cilën ndodhej, e tmerruar ka kërkuar ndihmën e Policisë dhe ekipit mjekësor.

Rasti është konfirmuar dje edhe nga Policia Rajonale në Pejë, ndërkohë që 25-vjeçari është dërguar me urgjencë në spital.

Por si ndodhi e gjithë ngjarja? Sinjali sjellë detajet e reja

Gentonis Madanaj është dërguar në gjendje të rëndë në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë, ku sipas mjekëve kishte lëndime të dukshme në kokë dhe pjesë tjera të trupit të cilat dyshohet se i ishin shkaktuar nga goditjet me një mjet të mprehtë.

Nëna e Gentonisit ka njoftuar Policinë e Kosovës, të cilët kanë shkuar në Emergjencë ku edhe kanë marrë dëshminë e viktimës lidhur me rastin.

Sinjali mëson se 25-vjeçari nuk ka mundur t’i identifikojë saktë personat e dyshuar, mirëpo ka dyshime se ata mund të jenë tre vëllezër (emra të njohur për redaksinë), me të cilët ishte në telashe kohë më parë. Në mesin e të dyshuarve, Madanaj ka përmendur edhe një ish mik të tij.

Tre vëllezërit e dyshuar janë paraqitur në stacion policor ku janë intervistuar lidhur me rastin, teksa para hetuesve kanë mohuar të kenë sulmuar viktimën. Sipas tyre, problemet që kishin më parë mes vete, tashmë janë zgjidhur dhe familjet janë pajtuar mes vete. Me urdhër të prokurorit, të njëjtit janë liruar, pasi kanë pasur alibi se nuk janë të përfshirë. Ndërsa pritet që të intervistohet edhe personi tjetër i dyshuar që është përmendur nga Madanaj.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha për Gazetën Sinjali tre personat e dyshuar janë lënë të lirë për shkak se është bërë verifikimi i vendndodhjes së tyre në kohën kur ka ndodhur sulmi ndaj viktimës.

“Fillimisht nuk ka qenë askush i arrestuar për këtë rast, mirëpo një person ka qenë i shoqëruar në Polici, ndërsa dy të tjerë i janë përgjigjur ftesave dhe janë paraqitur. Pas marrjes së deklaratave nga hetuesit policorë janë lënë të lirë për shkak se është bërë verifikimi i vendndodhjes së tyre kohën kur ka ndodhur sulmi ndaj viktimës”, tha Nikçi.

Sipas tij, Policia e Kosovës është autorizuar që përmes veprimeve hetimore të identifikojnë personi apo personat e dyshuar që kanë kryer veprën penale.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vrasje në tentativë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

Lidhur me gjendjen shëndetësore të të riut, janë deklaruar sot edhe nga Spitali Rajonal i Pejës.

Përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, thuhet se Madanaj ka pasur tetë plagë dhe atë në kokë, ekstremitete dhe pjesë tjera të trupit si dhe një gjendje të rënduar shëndetësore.

I njëjti pas trajtimit raportohet të jetë në gjendje të mirë shëndetësore.

Të ngajshme

Gjest human: Të burgosurat në Lipjan u ndajnë dhurata nxënësve me nevoja të veçanta

KushtrimGuraj

​Lista e pasaportave më të fuqishme në botë, ja ku renditet Kosova

KushtrimGuraj

Arrestohet 29-vjeçari që vodhi para nga arka e bamirësisë së një xhamie në Ferizaj

Donat Hashani