Jo më larg se në dhjetorin e fundit, ai e kishte goditur me veturën e tij zyrtarin policor që ishte në detyrë. Edhe për këtë rast, ai ndodhej në kërkim.
Katër të shtëna me armë zjarri bënë jehonë të mërkurën në afërsi të qendrës së Pejës.
Agron Berisha dhe dy djemtë e tij, Jetnisi e Jetarti, mbetën të plagosur nga gjuajtjet me armë.
Sulmuesi nxori armën dhe në mes të rrugës ‘Bekim Berisha’ shkrepi në drejtim të njërit prej djemve të Agron Berishës, të cilin e la të shtrirë në tokë.
Pastaj, ai nga afërsia gjuajti edhe në drejtim të kryefamiljarit dhe djalit tjetër të tij, tregon një video e inicizuar nga një dëshmitar okular.

Policia tha sot se e ka arrestuar një person që dyshohet t’i ketë ndihmuar dorasit, por i dyshuari kryesor ndodhet ende në arrati.
Pas ngjarjes, të plagosurit fillimisht u dërguan në Emergjencën e Spitalit të Pejës e pastaj u transportuan me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.
Njëri prej tyre është në gjendje më të rëndë, tha Policia të enjten në mëngjes.
Prokuroria është duke e hetuar motivin e krimit, i cili është ende i paqartë.
I kërkuari për ngjarjen që tronditi Pejën mbrëmjen e djeshme është 21-vjeçari Agron Gashi, i cili është shpallur në kërkim.
Policia tha se i dyshuari është recidivist i veprave penale.
“I pandehuri është i kërkuar për veprën penale: -“ Vrasje e rёndё nё tentativё” e cila ka ndodhur me datё 22.05.2024 rreth orёs 21:25, nё rrugën Bekim Berisha, nё Pejё, i dyshuari ёshtё recidivist i veprave penale”, tha Policia në njoftim.
“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor”, shtoi Policia.
Siç raportoi sot portali Sinjali, i dyshuari Agron Gashi dyshohet për plagosjen e një zyrtari policor në fund të vitit të kaluar.
Jo më larg se në dhjetorin e fundit, ai e kishte goditur me veturën e tij zyrtarin policor që ishte në detyrë. Edhe për këtë rast, ai ndodhej në kërkim.

