Personalisht do ta ndërtoj një shumicë parlamentare”. Kryeministri i Kosovës u zotua në Bundestag se do ta bëjë të mundur miratimin e Kodit Civil, që përmban një nen për regjistrimin e bashkësive civile ndërmjet personave të të njëjtit seks. Një detyrë padyshim e vështirë edhe dy vjet prej kur ky kod pati dështuar të miratohej në Kuvend. Kërkesën e Albin Kurtit e patën injoruar edhe me fjalime plot fyerje e homofobi deputetët konservatorë nga partia e tij e majtë.
Kryeministri i Kosovës do të angazhohet personalisht për ndërtimin e një shumice parlamentare për miratimin e Kodit Civil, i cili për shkak se përmban një nen për të drejtën e regjistrimit të bashkësive civile ndërmjet personave të të njëjtit seks, ka mbetur pa kaluar në Kuvend tash e dy vjet.
Albin Kurti u zotua të premten në Bundestag në Berlin se Kosova do të bëhet vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor që do t’ua ofrojë qytetarëve të saj këtë të drejtë.
“Kosova do të synojë që së shpejti të bëhet vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor, pas fqinjve tanë, Malit të Zi, duke ua ofruar qytetarëve të saj të drejtën e bashkimeve civile të të njëjtit seks. Ne do të punojmë shumë për ta kaluar këtë në të ardhmen shumë të afërt”, tha Kurti gjatë një fjalimi në shënimin e 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Europës, të organizuar nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë (SPD) e kancelarit Olaf Scholz.
“Për këtë unë personalisht do ta ndërtoj një shumicë parlamentare dhe do të bëj thirrje për mbështetje të gjerë për këtë edhe nga partitë opozitare. Vendimi për mbledhjen e qeverisë për këtë çështje tashmë është marrë”, tha Kurti, në një përpjekje për t’i bindur përfaqësuesit gjermanë se Kosova e meriton të jetë pjesë e Këshillit të Europës.
Kurti theksoi se regjistrimi i bashkësive civile ndërmjet personave të të njëjtit seks “është një e drejtë” dhe se “Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka nxjerrë aktgjykime duke kërkuar që kjo të bëhet”. Ndonëse kujtoi se ka vende anëtare të KiE që e kanë injoruar gjykatën për këtë çështje, ai tha se “Kosova do të jetë ndryshe”, dhe se “në këtë mënyrë duam t’i frymëzojmë të tjerët”.
Përpjekja e dështuar për miratimin e Kodit Civil
Para dy vjetësh, Qeverisë i pati dështuar plani për miratimin e një Kodi të ri Civil. Dhjetëra deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kishin votuar kundër e kishin abstenuar për shkak të nenit që do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i bashkësive civile ndërmjet personave me seks të njëjtë.
Një pjesë e deputetëve të partisë në pushtet e patën marrë fjalën në seancën e 16 marsit të vitit 2022 në Kuvend, duke e kundërshtuar hapur miratimin.
Kërkesën e kryeministrit Albin Kurti e patën injoruar edhe me fjalime plot fyerje e homofobi, të cilat ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i kishte quajtur të papranueshme.
Deputetët konservatorë të partisë së majtë nuk duket se kanë ndryshuar mendje as dy vjet pas. Gjatë kësaj periudhe, ata vazhdimisht kanë konfirmuar qëndrimin e tyre negativ ndaj Kodit të ri Civil.
Më vonë, këta deputetë që ndanin të njëjtën bindje, atipike për një parti të majtë, duket sikur i panë pasojat e para. Asnjë nga ta nuk ishte kandidat/e për ndonjë pozitë udhëheqëse brenda LVV-së në zgjedhjet e brendshme të kësaj partie, të cilat u mbajtën në shtator të vitit 2022.
Për dy vjet, paria e partisë nuk ia doli t’i bindte deputetët e saj të ndryshonin qëndrim. Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila kishte thënë se kishin nisur komunikimin brenda grupit parlamentar dhe me grupet e opozitës. Disa herë u paralajmërua se Kodi Civil do të sillej sërish në Kuvend për miratim, por kjo nuk ndodhi.
Haxhiu pati thënë se disa ekspertë po punonin për ndryshimet që thoshte se po bëheshin në Projektkodin Civil.
Në Ministrinë e Drejtësisë prisnin që Kodi i ri Civil të miratohej atë vit.
Ndërkombëtarët e vlerësojnë si shumë të rëndësishëm këtë kod civil, për mosmiratimin e të cilit ishin shprehur të zhgënjyer. Ata kanë kërkuar vazhdimisht që ai të miratohet. Në anën tjetër, bashkësitë fetare në Kosovë ishin bërë bashkë për ta kërkuar të kundërtën.