Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka shprehur shqetësimin e thellë për situatën alarmante që po përshkallëzohet si rezultat i bllokadave institucionale ndaj sektorit minerar dhe shumë sektorëve të tjerë.
Sipas një reagimi të DHTIK-së, vonesat e njëpasnjëshme në gjetjen e një zgjidhjeje efektive po dëshmojnë mungesë serioze të gatishmërisë institucionale për të adresuar këtë krizë të krijuar pikërisht nga vet institucionet publike.
“Fillimisht, formimi i Zyrës për Menaxhimin e Pronës Publike, brenda Zyrës së Kryeministrit, u shty për një kohë të gjatë, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme dhe angazhimit të DhTIK-së. Tani, pengesë shtesë është bërë mosgatishmëria e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për të ndryshuar udhëzimin administrativ për qiranë e pyjeve dhe tokës yyjore, dokument ky kyç për rifunksionalizimin e shumë bizneseve, pasi të njëjtat nuk po mund të vazhdojnë licencat e tyre tek institucione tjera. Dhoma ka kërkuar takim urgjent me drejtues të kësaj ministrie, si dhe me kryeministrin në detyrë, mirëpo deri më tani, nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, thuhet në reagim, ku theksohet se pasojat tashmë janë të dukshme.
“Bizneset në sektorin minerar po pezullojnë aktivitetin, vendet e punës po humbin, buxheti i shtetit po pëson humbje të mëdha, e bënë vendin tonë më të pafavorshëm për investime dhe për më tepër e rrit importin. Ashtu siç kemi thënë edhe në të kaluarën, të dhënat e fundit të Doganës së Kosovës, kanë vërtetuar rritje enorme të importit. Vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti, importi i zhavorrit nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut ka kapur vlerën prej mbi 676 mijë euro, ndërsa gjatë gjithë vitit të kaluar kjo shumë ishte vetëm 430 mijë euro – një rritje alarmante që dëshmon për dështimin në mbrojtjen e bizneseve të vendit”, thuhet në reagim.
DhTIK ngre alarmin edhe një herë dhe i bën thirrje të gjitha institucioneve publike të reagojnë menjëherë, para se dëmi të jetë më i madh.