Telenews

Dialogu me Serbinë, Kurti sot raporton para deputetëve

 

 

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhen sot në seancë plenare, ku pritet që kryeministri i vendit, Albin Kurti, të raportojë lidhur me takimin e fundit në kuadër të procesit të dialogut me Serbinë në Bruksel.

Seanca pritet të fillojë në orën 11:00.

Kurti do të paraqitet në foltoren e Kuvendit të Kosovës për të treguar se çfarë ka pranuar në takimin e tij të fundit me liderët evropianë.

Ai pritet që të informojë Kuvendin për draftin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, të cilin e pranoi në Bruksel.

Një kërkesë e tillë u bë nga opozita gjatë mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.

Pastaj janë edhe 11 pika tjera në rend të ditës.

Kujtojmë se pa ndonjë përparim, Kosova dhe Serbia përmbyllën një maratonë takimesh më 26 tetor në Bruksel.

Sipas udhëheqësve të BE-së, arritjen e pajtimit e penguan kushtëzimet që paraqitën palët.

Siç deklaroi Borrell, pas takimeve në Bruksel, palët nuk arritën të pajtoheshin pasi tha se secila kishte parakushte që nuk i pranonte pala tjetër.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës pas takimeve ka konfirmuar, se kryeministri Albin Kurti, është shprehur i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit, përfshirë edhe draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të prezantuar nga diplomatët-euroatlantikë javën e shkuar.

Megjithatë, sërish nuk ka pasur nënshkrime të palëve, pasi siç ka thënë Qeveria e Kosovës në një komunikatë për media të enjten pas takimeve në Bruksel, një gjë e tillë është refuzuar nga Serbia.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe 2015. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015 gjeti se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit dhe tha se ai duhet të harmonizohet përmes akteve nënligjore.

Kosova deri më tani ka refuzuar të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke shprehur frikën se mund të cenojë funksionalitetin e shtetit. Serbia, ndërkaq, insiston në themelimin e tij.

Komuniteti ndërkombëtar po i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i kthehen dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, pas rritjes së tensioneve mes dy shteteve.

Tensionet janë rritur qysh në maj në komunat veriore të Kosovës, pasi serbët lokalë kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë, që dolën nga zgjedhjet e prillit – të bojkotuara nga serbët.

Më 24 shtator tensionet u përshkallëzuan pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur i serbëve, ku vdiq polici Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen në të./Telenews/

Të ngajshme

Kurti: Vuçiq synon hakmarrjen, ne duhet të jemi të përgatitur për këtë

KushtrimGuraj

Osmani e ka përgëzuar USAID’in për miqësinë e palëkundur për Kosovën

KushtrimGuraj

Shkurte Fejza dhe Shaqir Cërvadiku publikojnë këngën “O Flamur”

Erzana Fazliu