Në skenën politike të Kosovës po shtohen spekulimet rreth një koalicioni të mundshëm mes Lëvizjes Vetëvendosje (VV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), një kombinim që ka qenë i pamundur për një kohë të gjatë. Burime të ndryshme pohojnë se në kalkulimet e një marrëveshjeje të mundshme mund të përfshihet edhe posti i presidentit, një çështje që mund të ndikojë në rikthimin e Vjosa Osmanit në LDK.
Osmani, e cila u largua nga LDK pas përplasjeve të brendshme dhe krijoi një afërsi politike me Vetëvendosjen, po vijon mandatin e saj si presidente dhe nuk i kanë mbetur edhe shumë muaj. Nëse një marrëveshje mes dy partive do të përfshinte edhe presidencën, kjo mund të shërbente si një mundësi për rikthimin e saj në partinë ku dikur kishte një peshë të madhe politike.
Megjithatë, asnjëra nga palët nuk ka konfirmuar publikisht diskutime konkrete për një koalicion, ndërsa pritet që zhvillimet e ardhshme të qartësojnë nëse ka lëvizje në këtë drejtim.