Të martën e 24 shkurtit, Dogana e Kosovës kontrolloi një automjet në pikën kufitare në Merdare, ku skanimi me rreze X tregoi një hapësirë të dyshimtë të modifikuar në dyshemenë e tij.
Me asistencën e Policisë Kufitare dhe përdorimin e pajisjes fibroskopike, u konfirmua se aty ndodheshin rreth 1 milion euro të padeklaruara.
“Automjeti fillimisht është kontrolluar përmes pajisjes së skanimit me rreze X (X-Ray), ku janë identifikuar indikacionet e para për ekzistimin e një hapësire të dyshimtë të modifikuar në dyshemenë e tij. Pas këtyre indikacioneve, Dogana e Kosovës ka kërkuar asistencë nga zyrtarët e Policisë Kufitare, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike përmes pajisjes fibroskopike”.
“Gjatë kontrollit të përbashkët, dyshimet e ngritura nga skaneri janë konfirmuar me zbulimin e mjeteve monetare të padeklaruara, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit.
Sipas vlerësimeve fillestare, shuma e mjeteve monetare dyshohet të jetë rreth 1,000,000 (një milion) euro”, thuhet në njoftim.
Njësitë hetimore të Doganës dhe prokurori kompetent po ndërmarrin veprime të mëtejshme hetimore në përputhje me ligjin.
Dogana thekson se teknologjia e avancuar, si skanerët X-Ray, është një mjet kyç për zbulimin e kontrabandës dhe parandalimin e aktiviteteve financiare të kundërligjshme.
“Njësitë hetimore të Doganës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Prokurori kompetent është njoftuar dhe, në koordinim me të, po ndërmerren veprime të mëtejme hetimore në përputhje me autorizimet ligjore. Dogana e Kosovës thekson se përdorimi i teknologjisë së avancuar të kontrollit, si skanerët X-Ray, mbetet një nga mjetet kyçe për zbulimin e rasteve të kontrabandës dhe parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme financiare”, thotë Dogana në njoftim.

