Telenews

Dogana zbulon deklarimin e rremë në Aeroport: Në vend të kimikatit, u gjetën produkte për dobësim

Dogana e Kosovës ka zbuluar një rast të deklarimit të pasaktë të mallrave në Zyrën e Doganimit të Brendshëm në Aeroport, gjatë procedurës së zhdoganimit.

Sipas njoftimit të Doganës, gjatë kontrollit të dokumentacionit, zyrtarët doganorë kanë ngritur dyshime lidhur me përshkrimin dhe llojin e mallit të deklaruar si “Polycarboxylate Superplasticizer”.

Për të verifikuar saktësinë e deklarimit, është kryer kontroll fizik i pakos, ku është konstatuar se përshkrimi i deklaruar nuk përputhej me mallin e gjetur.

Në vend të produktit të deklaruar, zyrtarët kanë gjetur produkte medicinale të destinuara për dobësim. Sipas të dhënave të rastit, këto produkte nuk janë të aprovuara për qarkullim në tregun e Kosovës, ndërsa për importimin e tyre kërkohet leja përkatëse nga Agjencia e Kosovës për Produkte Medicinale (AKPPM).

Vlera e mallit është 1,775.90 euro, pa përfshirë detyrimet dhe taksat.

Nga veprimet e ndërmarra është evidentuar se pala ka tentuar të shmangë kontrollin dhe procedurat përkatëse doganore, duke ndryshuar përshkrimin e mallit dhe duke deklaruar të dhëna jo të sakta, me qëllim të shmangies së detyrimeve dhe lejeve të nevojshme për vendosjen e mallit në qarkullim të lirë.

Për këtë rast, Dogana ka ndërmarrë veprimet përkatëse procedurale, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Veprimet e palës janë trajtuar si kundërvajtje doganore, në bazë të Kodit Doganor dhe të Akcizave.

Të ngajshme

Studenti e pranon: Jemi në kontakt të vazhdueshëm me kolegët në Serbi, lidhur me protestën dhe organizimin

Rrezarta Ramaj

Stresi i kërkon Edi Ramës dorëheqjen: Ndryshe do kesh fundin më të keq

Rrezarta Ramaj

Koloneli amerikan: Ushtarët tanë janë të gatshëm të punojnë me aleatët e NATO-s për një Kosovë të sigurtë –

KushtrimGuraj