Dokumenti zyrtar: EFT-ja e Vuk Hamoviqit u licensua në shtator të vitit 2021 – gjatë Qeverisë Kurti II
Ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Berat Lahu, ka publikuar dokumentin që dëshmon licensimin e kompanisë EFT, në pronësi të biznesmenit Vuk Hamoviq, proces që ndodhi pikërisht në periudhën kur në pushtet erdhi Qeveria Kurti II dhe anëtarë të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji ishin të emëruarit e ish-kryeministrit Albin Kurti.
Në një postim në Facebook, Lahu ka publikuar dokumentin e plotë të licencimit të kësaj kompanie, të datës 2 shtator 2021.
“Unë, Berat Lahu, nuk po shpif.
Armend Muja dhe Artane Rizvanolli më mirë është ta pranojnë se sa të perpiqen ta fshehin te vërtetën e tmerrshme dhe të pabesueshme të licencimit të EFT.
Me 02 Shtator 2021, është Licencu EFT, nga ZRRE.” – ka shkruar ai, duke bashkëngjitur njoftimin e ZRRE-së për licencim.

Në një paraqitje së fundi në një intervistë në “Debat Plus”, ai shpjegoi detaje se si të emëruarit e Albin Kurtit në Zyrën e Rregullatorit për Energji cenuan sigurinë nacionale të vendin me vendimin e vitit 2021, duke licencuar kompaninë “EFT” të biznesmenit serb, Vuk Hamoviq.
Siç sqaroi Lahu, ndonëse Hamoviq kishte aplikuar një vit më herët, drita e gjelbër iu dha pikërisht gjatë qeverisjes Kurti, në kohën kur kryesuesi dhe gjysma e Bordit të ZRrE-së ishin emëruar nga Vetëvendosje.
“EFT, Vukhamoviçi në vitin 2015 nëse nuk gaboj e themelon një kompani në Kosovë – EFT dhe në dhjetor 2020 aplikon për licencim. Deri në atë kohë, deri në vitin 2020 kur KOST del nga konjeksioni me Serbinë, rryma ka kalu nëpër Serbi”, tha ai.
“Në momentin që KOST pavarësohet, Serbia e ndërpret mundësinë e qarkullimit të energjisë në kuptimin e ankandeve e kështu me radhë dhe Kosovës i duhet që të bashkëpunojë ose të shkëmbej rrymë nëpërmjet Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi.
Më 1 dhjetor, Komiteti merr vendim që KOST të pavarësohet, më 1 dhjetor Vukhamoviç aplikon për licencë në ZRrE dhe më 14 dhjetor zyrtarizohet dalja e KOST nga rrjeti interkonektiv me Serbinë dhe më 2 shtator, Ymer Fejzullahu i jep licencën EFT-së. Jo vetëm Fejzullahu por gjysma e Bordit të ZRrE-së në atë kohë zgjidhet nga Vetëvendosja, zgjedhen dy anëtarë dhe kryesuesi – që janë shumica; 3 nga 5 dhe ka vendimmarrje.” – shpjegoi Lahu.
EFT, siç shpjegoi ai, licencën e mori licensën në vitin 2021, në kohën kur në qeveri ishte tashmë Vetëvendosje dhe kur kryesuesi i Bordit të ZRrE-së ishte pikërisht një person i përzgjedhur nga kjo parti.
“EFT licencën e merr në 2021-ës dhe prej asaj që ne vazhdimisht kemi qenë kundër, vjen dhe licensohet në kohën kur në qeveri është Vetëvendosje dhe kryesuesi i Bordit është dikush që është përzgjedhur nga Vetëvendosje.
Kjo për mu, kur e kam marrë vesh, ka qenë e pakapshme sepse kanë qenë dy elemente të ndryshme pse s’është dashur të ndodh kjo – pse duhet t’i hiqet licensa EFT-së e që mund të bëhet. Energjia, krahas ujit dhe telekomunikacionit, janë resurse dhe infrastrukturë kritike për një shtet. E dini rastin e Ibër Lepencit – krejt Evropa e ka pranu që është infrastrukturë kritike, sulmi aty është sulm terrorist.” – shtoi ai.

