Telenews

Dua Lipa: Nuk kam ëndërruar ndonjëherë për martesë, por tani pyes veten: Po unë çfarë do të vesh?

Këngëtarja Dua Lipa ka folur për herë të parë me detaje për lidhjen dhe fejesën e saj me aktorin britanik Callum Turner, duke pranuar se është “dashuruar marrëzisht” me të.

Në një intervistë të sinqertë për edicionin Global Icons të Harper’s Bazaar U.S., këngëtarja 29-vjeçare, e cila po ashtu pozoi për një set fotografik mahnitës, tha se është gati të jetë e ndjeshme dhe të lejojë dashurinë në jetën e saj, edhe nëse kjo mund ta lëndojë.

“E dua dashurinë. Është një gjë e bukur dhe frymëzuese. Ti e gjen veten duke u dashuruar marrëzisht në mënyrën më të mirë të mundshme. Kjo ndjeshmëri është e frikshme, por ndihem me fat që e përjetoj”, deklaroi ajo, sipas DailyMail.

Dua dhe Callum nisën të frekuentoheshin në janar të vitit të kaluar, por e bënë publike lidhjen në qershor. Një vit më pas, çifti konfirmoi fejesën e tyre.

“Kam kaluar shumë kohë duke mbrojtur zemrën time, por tani po e lë pas këtë ndjenjë. Nëse është e shkruar të lëndohem, atëherë le të ndodhë. Duhet thjesht ta lejoj dashurinë”, shtoi artistja.

E pyetur pse ka zgjedhur të flasë kaq hapur për lidhjen e saj, Dua tha:
“Jam më e lumtur se kurrë, ndaj më duket padrejtësi të mos flas për këtë. Kur je person publik, çdo gjë personale bëhet edhe më e ndjeshme, por nuk është se nuk dua ta ndaj”.

Këngëtarja, e cila më 22 gusht mbush 30 vjeç, foli për herë të parë publikisht për emocionet e fejesës gjatë një interviste për British Vogue. Ajo pranoi gjithashtu se ka menduar për të ardhmen e saj si nënë.

“Një ditë do të doja të kem fëmijë. Por gjithmonë pyes veten kur është koha e duhur – si do të kombinohej me karrierën time, me turnet, dhe sa kohë do të më duhej të shkëputesha. Është diçka që thjesht do të ndodhë kur të vijë momenti. Unë i dua fëmijët, por e di se rritja e një fëmije është shumë më tepër sesa thjesht dashuria për ta”.

Mediat raportuan në fund të vitit të kaluar lajmin e propozimit romantik të çiftit, ndërsa Dua është parë shpesh me unazën e saj me diamant.

“Po, jemi të fejuar. Është një ndjenjë e veçantë, ky vendim për të jetuar bashkë gjithë jetën, për të qenë miqtë më të mirë përgjithmonë”, u shpreh këngëtarja.

Lidhur me planet e martesës, ajo tregoi se dëshiron të përfundojë turin e saj muzikor dhe Callum xhirimet e filmave përpara se të organizojnë dasmën.

“Nuk kam qenë ndonjëherë një person që ëndërron për martesën ose për atë se çfarë lloj nuseje do të isha. Por tani, papritur, pyes veten: ‘Po unë çfarë do të vesh?’”, tha ajo.

Dua pranoi se është “e fiksuar” pas unazës së fejesës dhe shtoi: “Është një ndjenjë e bukur të dish që personi me të cilin do të kalosh jetën të njeh aq mirë”.

Historia e dashurisë së tyre nisi në janar 2024, kur u panë së bashku në një festë pas premierës së Masters of the Air në Londër. Sipas saj, ata kishin pasur “momente Sliding Doors” – ku ndodheshin në të njëjtin vend pa u njohur – përpara se të prezantoheshin në River Café në Londër.

Një vit më vonë, gjatë një darke në Los Angeles me mikun e saj Mustafa the Poet, ajo u ndesh sërish me Callum. “Mendova: ‘Oh, është ai djali shumë simpatik nga River Café’”.

Gjatë bisedës, ata zbuluan se të dy po lexonin romanin Trust të Hernan Diaz.

E pyetur nëse beson se ishin të destinuar të jenë bashkë, Dua u përgjigj: “Një mijë për qind po”.

Para se të bënte publike këtë lidhje, këngëtarja e hitit “Dance the Night” pranoi se i ishte dashur të gjente sërish besimin tek vetja pas disa marrëdhënieve të dështuara.

“Duhet të jesh në gjendje të falësh, të mësosh dhe të rritesh për të vazhduar përpara. Çdo marrëdhënie të mëson diçka për veten – çfarë të lëndon, çfarë pret dhe çfarë je gati të japësh. Kam pasur lidhje të dhimbshme, sidomos në fillim, që më kanë bërë të ndihem e pavlerë, por më është dashur të gjej sërish vetëbesimin tim. Mësohesh të kuptosh kufijtë e tu – gjërat për të cilat nuk mund të bësh kompromis. Dhe kjo është po aq e rëndësishme sa gjetja e personit të duhur”, përfundoi ajo.

 

Të ngajshme

E dhimbshme/ Labi zbulon mesazhin e fundit me vëllain e Gretës

Erzana Fazliu

Dy influencerët e njohur i shpëtojnë për ‘një fije floku’ një aksidenti të tmerrshëm, kur vetura përplaset gjatë kohës që po realizonin një video

KushtrimGuraj

Zaimina Vasjari shkëlqen në pozat e reja nga jahti luksoz, ndërsa vë në pah linjat trupore në paraqitje me bikini

KushtrimGuraj