Mbrëmjen e shkuar Prishtina dhe i gjithë vendi u trondit nga dy vrasje që ndodhën brenda pak orësh. Liridona Murseli, bashkëshortja e ish-këshilltarit të presidentit Behgjet Pacolli, Naim Murseli, mbeti e vrarë pas të shtënave që u dëgjuan në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Familja Murseli dyshohet se u përballën fillimisht me disa grabitës, të cilët ua morën gjësendet me vlerë dhe më pas shtënë me armë, duke lënë të vdekur 33-vjeçaren. Kjo ngjarje tronditi gjithë familjen Murseli dhe hetimet tashëm kanë nisur për të zbardhur rrethanat dhe motivet e rastit.
E, në rrugën ‘Ali Vitia’, 52-vjeçari, Ali Kosova, dyshohet se u ther për vdekje nga dhëndri i tij 29-vjeçar, Edon Bujupi, i cili ndodhet në arrati.
Sinjali raportoi ekskluzivisht rrëfimin e Naim Murselit, para zyrtarëve policorë për incidentin që iu ndodhi, ku mbeti e vdekur bashkëshortja e tij.
Sipas informacioneve të para, Murseli ka deklaruar se i ka dëgjuar vetëm krismat dhe asgjë nuk ka parë në momentin kritik, kur dyshohet se ia qëlluan gruan me armë zjarri.
Siç ka deklaruar Murseli para hetuesve policorë, hajnat fillimisht iu kanë kërkuar gjërat me vlerë, duke marrë paratë dhe telefonat.
Kjo situatë e tmerrshme dyshohet se e detyroi Murselin që t’i largojë fëmijët nga vetura, por aty mbeti bashkëshortja e tij, e cila fatkeqësisht u vra me armë zjarri.
Këto janë vetëm disa nga detajet që Murseli i ka rrëfyer para Policisë dhe sipas informacioneve që janë mbledhur deri më tani pistat pritet të zgjerohen dhe nuk do të hetohet vetëm versioni i Murselit.
Në bazë të detaje të reja që janë zbuluar, dyshohet se kanë qenë dy persona, njëri prej të cilëve i armatosur, që ua kanë zënë pritën me veturë familjes Murseli.
Dy grabitësit, sipas informacioneve të para kanë qenë me një veturë me targa të huaja, të tipit Golf 5, por që Policia është në kërkim edhe të një veture BMË me targa të huaja.
Ndërkaq, pas këtij rasti tragjik ku e vrarë mbeti një grua, një burrë ka humbur jetën pas plagëve të marra nga therja me thikë po në Prishtinë.
Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 22:00, në rrugën “Ali Vitia”.
Menjëherë pas marrjes së informatës në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore.
Sipas Ahmetit, bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se nga arma e ftohtë (thikë) lëndime të rënda trupore, ka pësuar një person, i cili është dërguar për tretman mjekësor, në QKUK, nga ku njoftuan se personi i lënduar nuk ka arrit të përballoj plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë.
Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorin e shtetit, janë në kërkim të personit të dyshuarit (i identifikuar) si dhe kanë nisë hetim për ndriçimin, sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë ngjarje.