Komuna e Prishtinës, ka kryer shkelje serioze në menaxhimin financiar për vitin 2024. Sipas raportit të ZKA-së, në tri raste janë lidhur kontrata pa respektuar procedurat ligjore të prokurimit publik.
Kontrata janë lidhur edhe pa u përmbushur kriteret.
Por, komuna dështoi edhe në menaxhimin e disa kontratave.
Si u përdor paraja publike nga Komuna e Prishtinës dhe NPL “Pallati i Rinisë”?
ZKA ka gjetur në tri raste mangësi në zbatimin dhe mbikëqyrjen e kontratave “Në shtëpi” me NPL “Gjelbër”.
Komuna kishte dhënë para më shumë se që figuron se janë harxhuar në faturat e kësaj ndërmarrje, shkruan Insajderi.
Komuna e Prishtinës, pagoi 50 mijë euro për një veturë në emër të kontratës “Në shtëpi” me NPL “Gjelbër”.
Ndërmarrja veturën e bleu 44,400€, dhe nuk dihet se ku u harxhuan 5 mijë e 600 euro të tjera.
“Komuna ka realizuar pagesën në vlerë prej 50,000€ në emër të kontratës “Në shtëpi” me NPL “Gjelbër” për blerjen e dy veturave për kapjen e qenëve endacak. Megjithatë, nga dokumentacioni i siguruar gjatë auditimit, rezulton se vlera e kontraktuar dhe e paguar për veturat nga Ndërmarrja për blerjen e veturave ka qenë 44,400€. Pavarësisht kësaj, në konstatimin e bërë nga menaxheri i kontratës në Komunë, është raportuar se furnizimi është bërë në vlerë të plotë 50,000€, pa ndonjë sqarim për diferencën se si janë shfrytëzuar ato mjete prej 5,600€”, thuhet në raport.
Ndërsa, për infrastrukturën e brendshme (dollapë, frigorifer, llambë kirurgjikale, etj.) në vlerë 30,000€, Komuna kishte kryer pagesën bazuar në faturë dhe kontratë, mirëpo dokumentacioni mbështetës tregonte çmime të ndryshme nga ato të faturuara nga Ndërmarrja. Si p.sh: frigoriferi ishte faturuar 1,635€, ndërsa në kontratën e Ndërmarrjes me OE figuron 1,178€; llamba kirurgjikale (montim në tavan) ishte faturuar 4,000€, ndërsa kontrata e furnizimit e tregon në vlerë prej 3,304€.
“Gjatë verifikimit në terren, nuk është arritur të konfirmohen furnizimet për shkak të mungesës së specifikimeve teknike, numrave serik dhe dokumentacionit përcjellës. Llamba e instaluar nuk ishte e montuar në tavan, por me një version të lëvizshëm, që bie në kundërshtim me përshkrimin në faturë”.
Në të dyja rastet, Komuna nuk ka pasur ndonjë mekanizëm monitorimi për të ndjekur si janë shfrytëzuar nga ndërmarrja këto mjete shtesë.
“Gjatë auditimit kemi vërejtur se dy pagesa në vlerë totale prej 36,108€ janë realizuar nga Komuna ndaj Ndërmarrjes Publike Lokale “Pallati i Rinisë”, për pagesën e qirasë së sallave të sportit dhe zyrave, të destinuara për zhvillimin e aktiviteteve kulturore dhe sportive. Pagesat janë ekzekutuar vetëm me kërkesë të Kryetarit të Komunës, pa pasur paraprakisht një raport pranimi nga menaxheri i kontratës, siç kërkohet qartë në kontratë. Për më tepër, menaxheri i kontratës është caktuar me një vonesë prej rreth pesë muajsh pas nënshkrimit të kontratës”, thuhet në raport.
Dobësitë e identifikuara kanë ndodhur si rezultat i mungesës së një mekanizmi funksional për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kontratave “Në shtëpi”. Komuna nuk ka vendosur procedura të qarta për monitorimin e realizimit të kontratave, nuk ka siguruar emërimin me kohë të menaxherëve të kontratave dhe nuk ka aplikuar kontrollin e dokumentacionit mbështetës për justifikimin e pagesave.
ZKA thotë se me këto veprime Komuna ka rritur rrezikun se për përdorim jo të drejtë të parasë publike.
“Ndikimi Dobësitë e lartë përmendura rrisin rrezikun në sigurimin e përdorimit të drejtë të parasë publike. Po ashtu, vonesat në emërimin e menaxherëve të kontratave kanë dobësuar kontrollin dhe përgjegjësinë institucionale, ndërsa mungesa e mekanizmave të monitorimit ka bërë që Komuna të mos ketë informacion të plotë dhe të verifikueshëm mbi mënyrën e shfrytëzimit të mjeteve të ndara për ndërmarrjet publike. Kjo gjithashtu mund të krijojë precedentë të dëmshëm për praktika të ngjashme në të ardhmen”.
Ndërsa, kryetarit, ky raport i rekomandoi që të qartësojë se ku kanë mbetur mjetet e mbetura.
“Kryetari duhet të sigurojë krijimin dhe funksionimin e mekanizmave të qartë për monitorimin dhe mbikëqyrjen e kontratave “Në shtëpi”. Duhet të garantohet që çdo pagesë të realizohet vetëm pas verifikimit të plotë teknik, administrativ dhe financiar të furnizimeve. Po ashtu, duhet të dokumentohet dhe qartësohet përdorimi i mjeteve të mbetura ose të pashpenzuara dhe të sigurohet emërimi në kohë i menaxherëve të kontratave, për të parandaluar”, theksohet në raportin e ZKA-së.
ZKA ka konstatuar se ka pasur manipulime dhe pasaktësi edhe në listat e përfituesve të subvencioneve. Të ardhurat e prindërve janë raportuar në mënyrë të pasaktë, ndërkohë që komisioni përgjegjës për verifikim nuk ka funksionuar fare gjatë kësaj periudhe.
Këtu përmenden edhe parregullësitë në menaxhimin e subvencionit për kopshtin publiko-privat “Botanika” me vlerë prej 58,820 eurove.
Ndonëse këto subvencione ishin paraparë për familjet me të ardhura më pak se 1 mijë euro, 7 prindër kishin vazhduar të paguajnë tarifën e plotë mujore të çerdhes, derisa 4 fëmijë që nuk kishin ndjekur fare kopshtin gjatë vitit 2024 ishin përfshirë në lista dhe kopshti kishte përfituar subvencione për ta.