Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Krilevë të Kamenicës, ku një person është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se kanë pranuar thirrje për ndihmë, pasi një person kishte nevojë për ndihmë dhe dyshohej se ishte në rrezik për jetën.
Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur trupin e viktimës, i cili kishte plagë që dyshohet se i janë shkaktuar nga arma e zjarrit. Pas ekzaminimeve për shenjat vitale, mjeku kujdestar ka konstatuar se viktima ka ndërruar jetë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë policore, të cilët kanë gjetur dhe sekuestruar armën e tipit kallashnikov e cila dyshohet se u përdor në rast dhe sipas informacioneve të para, i ndjeri dyshohet se i ka dhënë fund jetës së tij.
Mësohet se viktima është një burrë 67-vjeçar.
Nuk dihen motivet që shtynë drejt kësaj tragjedie, mirëpo janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vdekje e dyshimtë’ dhe trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

