Sezoni debutues i Hansi Flick te Barcelona ishte pothuajse perfekt, me klubin katalanas që arriti të dominojë futbollin spanjoll dhe të fitojë tripletën e parë vendore në histori.
Por për Andreas Christensen, viti 2024–25 ishte krejt ndryshe. Mbrojtësi i Danimarkës u përball me dëmtime të shumta, duke u aktivizuar vetëm në gjashtë ndeshje gjatë gjithë sezonit. Pas paraqitjes në hapjen e kampionatit në gusht 2024, ai nuk luajti më deri në fund të prillit.
Tani, duke hyrë në vitin e fundit të kontratës së tij me Barcelonën, Christensen është i vendosur ta ndryshojë situatën. Ai së fundmi komentoi të ardhmen duke bërë të qartë se synon të jetë pjesë e skuadrës blaugrana.
“Dua të qëndroj. Këtë e bëra të qartë edhe gjatë verës. I thashë ‘jo’ kombëtares për këtë arsye – doja të rikthehesha i gatshëm. Viti i kaluar ishte shumë i vështirë për mua personalisht, ndaj doja ta bëja çdo gjë siç duhet. I tregova klubit se plani ishte të refuzoja kombëtaren, të kthehesha më herët dhe të sigurohesha që trupi im të ishte gati për një parasezon të fortë, duke e marrë hap pas hapi”.
Andreas Christensen
“Tani është në dorën time të tregoj vlerat e mia dhe të shohim ku do të na çojë kjo. Gjithmonë e kam shprehur ndjenjën dhe dashurinë për këtë klub dhe gjithmonë kam dashur të qëndroj. Ka qenë plani im – plani im personal – që nga fillimi”, deklaroi ai.
Mbrojtësi i rritur në akademinë e Chelseat e di mirë se këtë sezon do të ketë mundësi të mjaftueshme për të treguar vlerat e tij, duke shpresuar të sigurojë një kontratë të re që do ta mbajë në “Camp Nou” edhe pas verës së vitit 2026.