Rreth pesë vjet më parë, neurologu i Shkollës së Mjekësisë të Universitetit të Yale, Dr. Zvonimir Vrselja dhe kolegët e tij tronditën komunitetin mjekësor me një eksperiment novator. Ata hoqën trurin e një derri të thertores nga koka e tij dhe e privuan atë nga oksigjeni në temperaturën e dhomës për katër orë. Më pas e lidhën me aparatin e tyre të ringjalljes dhe e ringjallën – në një masë të caktuar – raportoi H1.
Në trurin e gjallë, rrjeti vaskular, ose sistemi i enëve të gjakut, transporton gjakun e oksigjenuar dhe të pasur me lëndë ushqyese përmes arterieve dhe kapilarëve. Studiuesit përdorën makinën e tyre të quajtur BrainEx për të pompuar një përzierje të konservantëve dhe ilaçeve në trurin e derrave të ngordhur, duke synuar rrugët që normalisht dëmtohen nga mungesa e oksigjenit. Përzierja përmbante një zëvendësues gjaku me molekula që balancojnë nivelin e pH të qelizave, ilaçe që parandalojnë reaksionet e tepërta imune dhe antibiotikë.
Ndodhën disa gjëra të jashtëzakonshme: lënda gri e trurit u bë rozë. Qelizat e trurit vazhduan të prodhonin proteina. Neuronet filluan të shfaqnin shenja të aktivitetit metabolik, ashtu si qelizat e gjalla. Truri përsëri po kryente funksionet bazë qelizore, por nuk ishte i vetëdijshëm – studiuesit nuk prisnin diçka kaq ekstreme.
Megjithatë, studiuesit që vëzhgojnë këtë proces thonë se truri nuk duket më i vdekur.
Ky rezultat “shkon kundër gjithçkaje që menduam se dinim për vdekjen”, tha Dr Lance Becker, një ekspert në reanimacion, arrest kardiak dhe kujdes intensiv, për New Scientist në nëntor. “Ne jemi në një moment të ndryshimit të paradigmës ndërsa ripërcaktojmë se çfarë është jeta dhe çfarë është vdekja,” vazhdoi Becker, i cili është gjithashtu një studiues në Institutin për Kërkime Mjekësore Feinstein në Nju Jork.
Pas testimit të derrave, Vrselja dhe kolegët e tij tani po studiojnë trurin e dhuruar të njeriut duke përdorur makinën e tyre BrainEx. Është një procedurë më delikate se eksperimentet e derrave dhe mbart pasoja të rënda etike. Në versionin e eksperimentit të derrit, studiuesit u siguruan që të mos ndodhte asnjë aktivitet i trurit në lidhje me perceptimin. Ata përfshinin qetësues në formulën e tyre që parandalonin aktivitetin elektrik dhe ndaluan eksperimentin pas gjashtë orësh, sipas punimit të tyre të vitit 2019 të botuar në revistën Nature.
“Duhej të zhvillonim metoda të reja për të siguruar që nuk kishte aktivitet elektrik të organizuar që mund të pasqyronte ndonjë ndërgjegje,” tha Wrselja për New Scientist.
Në trurin e njeriut, parandalimi i perceptimit kërkon edhe më shumë vëmendje. Nëse truri i njeriut fillon t’i afrohet vetëdijes në një eksperiment të tillë, pasojat do të ishin jashtëzakonisht komplekse, si në aspektin etik, ligjor ashtu edhe në atë shkencor, argumentoi Hank Greeley, një ekspert në ligjin biomjekësor në Universitetin Stanford në Kaliforni.
“Është shumë delikate nga perspektiva etike, ligjore dhe shkencore”, tha ai për New Scientist.
Vrselja deklaroi se ai dhe kolegët e tij “nuk kanë ndërmend të lidhin askënd me makinën BrainEx në momentin e vdekjes”. Megjithatë, ajo që ata kanë arritur deri më tani është një hap i rëndësishëm drejt vërtetimit se vdekja e trurit mund të mos jetë aq përfundimtare sa mendohej më parë, duke ngjallur shpresa të reja që pacientët e kapur mes jetës dhe vdekjes mund të shpëtohen ende.
Ndërkohë, studiuesit kanë pasur njëfarë suksesi duke mbajtur qelizat e trurit “aktive deri në 24 orë” në mënyrë që të testojnë trajtimet për sëmundjet neurologjike. Ata shpresojnë se puna e tyre do të ndihmojë pacientët me sëmundje të tilla si Alzheimer dhe Parkinson.