Një i mitur dyshohet se është dhunuar dhe abuzuar të hënën në qytetin e Ferizajt.
Klankosova.tv ka kuptuar se bëhet fjalë për një 13-vjeçar i cili ishte kontaktuar përmes rrjeteve sociale nga një 17-vjeçar. I dyshuari aktualisht është në kërkim policor.
Lidhur me këtë rast të rëndë, redaksia e Klankosova.tv ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, nga e cila deklaruan se rasti në fjalë ndodhet në fazën preliminare të grumbullimit të informacioneve dhe provave të tjera.
“E konfirmojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar një informacion të tillë në lidhje me këtë çështje. Aktualisht rasti në fjalë ndodhet në fazën preliminare të grumbullimit të informacioneve dhe provave të tjera, të cilat do të shërbejnë për procedurën e mëtejshme hetimore”, tha zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Kaltrina Shala.
“Për më shumë informacione nuk mund të ofrojmë pasi që dhënia e informacioneve për të mitur është konfidenciale”.
Ndërkohë Policia e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim me institucionet relevante, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit.
“Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, gjithnjë duke garantuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e viktimës, policia ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Dhunimi”, përderisa po punohet intensivisht në identifikimin e të dyshuarit dhe përcaktimin e vendndodhjes së tij”, thuhet në njoftimin e policisë.

