Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Një rast i tillë dhe mjaft i rëndë ka ndodhur në një familje në Prishtinë, ku një person po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij, pas disa mosmarrëveshjeve që kanë pasur mes vete.
Sinjali mëson se viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë, me ç’rast ka deklaruar se i biri e kishte sulmuar fizikisht, duke e goditur me grusht e shqelma dhe për pasojë i ka shkaktuar lëndime trupore.
Posa rasti u denoncua në Polici, viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa djali i saj është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij për rastin.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Dhunë në familje”./Telenws/