“Njohja reciproke në qendër, e jo në fund të dialogut me Serbinë”. Ky ishte premtimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për rezultatin e dialogut me Serbinë.
Të njëjtin e përsëriste edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke bërë premtim të gënjeshtërt për rrugën që do ta ndjekë në dialog pala kosovare e ardhur në pushtet pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021.
Pas Marrëveshjes Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] dhe Aneksit të zbatimit [Ohër, 18 mars 2023], të dyja të pranuara nga kryeministri Kurti në dialog me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, njohja reciproke është zhdukur, duke regjistruar rezultatin katastrofal për Republikën e Kosovës. E vetmja që ka mbetur pas këtyre dy marrëveshjeve, është këmbëngulja e kryeministrit Kurti se në Bruksel e Ohër ka siguruar njohjen de-facto të Kosovës nga Serbia, por që përgënjeshtrohet nga preambula e marrëveshjes së 27 shkurtit.
Në një nga intervistat e para si presidente e Kosovës, pasi ishte zgjedhur më 4 prill 2021, Osmani shprehte hapur qëndrimin dhe përgatitjet e shtetit të Kosovës në dialogun me Serbinë.
“Kosova është e përgatitur që të shkojë në bisedime për të arritur një marrëveshje reciproke, që ka në qendër të saj njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, premtonte Osmani më 4 qershor 2021.
Vetëm pak ditë më vonë, më 15 qershor 2021 u mbajtë takimi i parë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Presidentja Osmani e kishte përmendur njohjen reciproke në qendër edhe më 24 tetor 2022, kur në media publikoheshin versione të ndryshme të planit frank-gjerman, i cili më vonë u shndërrua në Marrëveshje Bazë (Bruksel, 27 shkurt 2023) që u arrit ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq.
“Ne e vlerësojmë rolin e partnerëve tanë për intensifikimin e dialogut Kosovë-Serbi. Qëllimi i Kosovës gjithnjë ka qenë për marrëveshje finale dhe njohje në qendër, dhe ne angazhohemi në atë drejtim. Për me tepër angazhimi ynë është për paqe dhe stabilitet, ndërsa angazhimi i Serbisë është i kundërt. Andaj shpresojmë që sa më shumë të jetë e mundur partneret tanë të bëjnë presion Serbisë, shtetit që po e destabilizon rajonin tonë që ta kuptojë që paqja dhe stabiliteti është në interes te të gjithëve”, deklaronte Osmani.
Edhe një vit më vonë, më 4 shtator 2023, Osmani kishte përmendur domosdoshmërinë e njohjes reciproke, por harronte që i kishte dhënë mbështetje marrëveshjes Kurti – Vuçiq që ia lejon Serbisë të mos e njoh Kosovën.
“Dialogu me Serbinë është duke vazhduar, por natyrisht që rruga e vetme që sjellë paqe e stabilitet afatgjatë për të gjithë rajonin tonë është atëherë kur rezultati përfundimtar është njohja reciproke”, deklaronte Osmani.
Pavarësisht këtyre qëndrimeve që premtonin dhe shprehnin këmbënguljen e të parës së shtetit, Osmani ka shprehur hapur disa dyshime lidhur me përmbajtjen e marrëveshjeve të kryeministrit Kurti, megjithkëtë ajo nuk ka këmbëngulur që të prezantojë interesin e Kosovës duke përmirësuar Statutin e Zajednicës.
Më 11 nëntor 2023, Demokracia.com ka publikuar një listë të disa prej deklaratave të kryeministrit Kurti, ku ai këmbëngulte se rezultati final i dialogut me Serbinë duhet të jetë ‘njohja reciproke në qendër’, por që tani po mjaftohet me vetëm me ‘njohje de-facto’, anipse njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare e kanë këshilluar publikisht se në Marrëveshjen Bazë (Bruksel, 27 shkurt 2023) dhe Aneksin e zbatimit të saj (Ohër, 18 mars 2023) nuk ka njohje të tillë. /Telenews/