Ekrem Hyseni ka bërë një postim në profilin e tij në Facebook pas zgjedhjes në krye të Degës së LDK’së në Podujevë.
Hyseni ka thënë se procesi u zhvillua konform rregullave të miratuara nga organet e partisë dhe për rrjedhojë në degë nuk kishte asnjë ankesë të vetme, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Pas një procesi të rregullt, demokratik, e me pjesëmarrje masive, sot me një kuvend madhështor, përmbyllëm një proces të jashtëzakonshëm zgjedhor ku morën pjesë mbi 1400 anëtarë të shtëpisë tonë politike LDK. I gjithë procesi u zhvillua konform rregullave të miratuara nga organet e partisë dhe për rrjedhojë në degë nuk kishte asnjë ankesë të vetme Falënderoj strukturat tona për një punë të madhe. Uroj të gjitha strukturat e zgjedhura dhe falënderoj ato që me sukses përfunduan mandatet e tyre”, ka shkruar Hyseni.
Ish-kryetari i degës së LDK-së në Podujevë, Agim Veliu ka hedhur akuza ndaj Hysenit dhe kryesisë së LDK-së se “zgjedhjet janë kundër statutit dhe rregullave të LDK”.
Teksa ka lëshuar mbledhjen, e ka gjuajtur me ujë Xhafer Gashin, kryetarin e Obiliqit. Kjo pasi, Gashi ishte përzgjedhur koordinator i këtij procesi zgjedhor në Podujevë. Ai në një prononcim për TV Llapin tha se Veliu e kishte freskuar pak me ujë.
“Revolta e tij ndoshta e ka nxitur. Unë e kuptoj një gjë të tillë. Ndoshta pak e pa që jam i zhegitur dhe me freskoj me ujë”, tha ai.