Pas zbarkimit të Njësisë Kundër Terrorizmit në Kaçanik, janë arrestuar disa persona si pjesë e hetimeve për vepra penale të rënda, që lidhen me vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika. Burime të sigurta të Sinjalit konfirmojnë se numri i personave ka shkuar në katër.
Sipas burimeve të afërta me hetimin, dyshimet fillestare lidhen me vepra penale si “Vrasje e rëndë”, “Pjesëmarrje në grupe terroriste” dhe “Rekrutim për qëllime terroriste”. Këto dyshime pritet të verifikohen e filtrohen gjatë intervistimeve dhe analizës së provave të sekuestruara.
Operacioni i sotëm lidhet me një rast të mëhershëm që ka tronditur opinionin publik – vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika. Aksioni i parë kishte sjellë arrestimin e disa personave dhe sekuestrimin e disa provave kyçe, të cilat çuan në thellimin e hetimeve.
Sinjali mëson se në disa nga lokacionet e bastisura, paraprakisht kanë qenë në zbatim masa të fshehta të hetimit, të cilat kanë rezultuar me të dhëna të rëndësishme për hetimin penal, duke ndihmuar në identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarve potencialë.
Lajmin për një operacion të tillë e ka konfimuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
“Sot, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante ka filluar një operacion policor, i cili po realizohet në komunën e Kaçanikut.
Edhe në këtë rast pas përfundimit të operacionit policor, i cili po realizohet në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, do të bëhen publike informacione shtesë.”, tha ai për Gazetën Sinjali.
Gazeta Sinjali shumë shpejt do të ju sjellë edhe emrat e të arrestuarve.
=