Aksioni i drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Banjskë dhe Lozhistë (fshatra në veri të vendit), që u zhvillua të enjten rezultoi me sekuestrimin e disa armëve, dokumenteve e pajisjeve të ndryshme. Gazeta Sinjali raportoi të enjten ekskluzivisht se kontrollet janë kryer bazuar në urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që lidhet me rastin e barrikadave të 10 dhjetorit 2022.
Siç merr vesh Sinjali, dy të dyshuarit që ishin cak i Policisë janë Danilo Virjeviq dhe Stefan Andjelkoviq, të cilët dyshohen për veprën penale “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese”, lidhur me veprën “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.
Bastisjet janë kryer në shtëpitë e dy të dyshuarve, ku janë gjetur së paku dy armë, telefona, dokumente e pajisje të armëve, që janë sekuestruar si prova lidhur me rastin.
Ndërsa dy të dyshuarit, nuk janë hasur nga Policia e Kosovës.
Lajmi e ka konfirmuar për Sinjalin edhe zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, i cili tha se se zyrtarët policorë të këtij rajoni kanë asistuar Departamentin e Krimeve të Rënda në bastisjet që kanë ndodhur gjatë paradites.
Kujtojmë se rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë – u bllokuan më 10 dhjetor 2022. Barrikadat në veri të Kosovës u ngritën nga disa grupe serbësh, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb të Policisë së Kosovës.
Gazeta do të iu mbajë të informuar me detajet e reja të rastit.