Ekspertët e sigurisë kibernetike kanë ngritur shqetësime të mëdha lidhur me sigurinë e faqes zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke raportuar për prani të malware-ve që vjedhin të dhëna, si Lumma.
Eksperti i sigurisë kibernetike, Hekuran Doli, ka njoftuar në LinkedIn se faqja e KQZ-së ka qenë shënjestër e sulmeve kibernetike si gjatë ditës së zgjedhjeve ashtu edhe pas tyre.
Ai ka deklaruar se të paktën një nga sulmet ka qenë i suksesshëm, duke çuar në infektimin e faqes me sisteme false verifikimi CAPTCHA, përmes të cilave është shpërndarë malware që vjedh të dhënat e përdoruesve.
Edhe eksperti Korab Koqekolla ka konfirmuar mangësitë e mëdha të sigurisë kibernetike në faqen e KQZ-së, duke vërejtur përmbajtje të paautorizuar dhe lidhje mashtruese që ridrejtojnë përdoruesit për shkarkimin e softuerëve fals.
Ai ka paralajmëruar se faqja e KQZ-së është duke shpërndarë malware të rrezikshëm, i cili mund të vjedhë fjalëkalime, të dhëna financiare dhe informacione të tjera të ndjeshme.
Nga ana tjetër, kompania CACTTUS, e cila ka zhvilluar aplikacionin e numërimit të votave, ka sqaruar se platforma e KQZ-së ka përjetuar një vëllim të paprecedent trafiku, duke mbingarkuar sistemin CloudFlare. Ata kanë pohuar se faqja e KQZ-së dhe infrastruktura qeveritare kanë qenë shënjestër e sulmeve të vazhdueshme DDoS, të cilat synojnë ndërprerjen e funksionimit të saj.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar informacione nga KQZ lidhur me mosfunksionimin e platformës për publikimin e rezultateve zgjedhore, me qëllim hetimin e mundshëm të ndonjë vepre penale.