Njohësi i politikave ekonomike, Shenoll Muharremi ka reaguar sërish ndaj qasjes së Lëvizjes Vetëvendosje në krye me ish-kryeministrin Albin Kurti, duke e cilësuar si të rrezikshme për ekonominë dhe sigurinë kombëtare.
Ai kritikoi rritjen e çmimeve, mungesën e investimeve zhvillimore dhe sulmet ndaj prodhuesve vendorë, duke e quajtur thirrjen për bojkot të produkteve vendore një ndër skandalet më të mëdha ekonomike në historinë e Kosovës.
”Një herë investojnë me vite në ndihma sociale, e jo në projekte zhvillimore, dhe e rrisin importin e deficitin deri në qiell. Gjysma e ekonomisë del jashtë vendit me deficit tregtar në mallra. Pastaj ta rrisin çmimin e rrymës tri herë, e së fundmi e krijojnë edhe një valë të re inflacioni në ekonomi, kur të gjithë janë pshtetun për muri. Asnjë zgjidhje se ofrojnë, asnjë fjalë se flet kryeministri në detyrë.
E pastaj, thuajse kjo nuk mjaftoi, dalin i sulmojnë edhe qata pak prodhues që i kemi vendor. A jeni në veti, pash një Zot, cilat libra i keni lexu për politika ekonomike?!
Ju nëse keni punë me ‘oligarkët’, merruni me ta përmes ligjit e drejtësisë. NUK DUHET, kurrë në jetë një qeveri apo parti politike, me i sulmu dhe me provu me i shkatërru bizneset e prodhuesit tanë, ekonominë tonë. A jeni n’veti?!
Sot jau bani atyre, nesër dikujt tjetër. Cili njeri e sulmon sofrën që e ushqen? Ju duhet me kuptu dhe me nda BIZNESIN dhe individin. Ju me gjasë e keni me individ, jo me biznese. Sulmi sot ku thirrni me i bojkotu produktet vendore është një ndër skandalet më të mëdha ekonomike në histori të Kosovës.
Asnjë person e as biznes nuk duhet me qenë i privilegjuar. Masa duhet me u marrë nëse ka fakte. Duhet me u kriju kushte dhe mundësi të barabarta për të gjitha bizneset njësoj. Por një JO e madhe, një NO GO, është me i sulmu bizneset dhe prodhuesit tanë.
Ky është sulm mbi ekonominë dhe lidhet me sigurinë kombëtare dhe të ardhmen e vendit”.