Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se sot kanë ekzekutuar edhe shtesa e njëhershme për të gjithë fëmijët që janë në sistem të shtesave për fëmijë, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Murati ka thënë se mjetet janë transferuar bashkë me shtesën e zakonshme mujore, në llogarinë e njëjtë.
Kujtojmë që Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndajë nga 100 euro për të gjithë fëmijët nën 16 vjeç në muajin dhjetor.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pushteti synon që vitin e ardhshëm të avancojë skemën, sipas parimit që ata që kanë më pak të ardhura, të përfitojnë më shumë.
Deri më tani, Qeveria ka ndarë nga 10 euro për fëmijët nën moshën 16 vjeç dhe nga 20 euro për fëmijët deri në dy vjeç.Kurti është zotuar se në të ardhmen fëmijët do të përfitojnë nga shtesat prej 50 deri 150 euro.Në mbledhjen e parafundit të Qeverisë, Kurti ka thënë se këtë muaj edhe pensionistët do të përfitojnë nga 100 euro, përveç pensionit të rregullt.
Pensionet në Kosovë dallojnë nga 100 deri në 265 euro, varësisht prej kontributit.Nga janari e deri në korrik të këtij viti, Kosova ka shpenzuar mbi 305 milionë euro në përkrahje financiare për personat e pensionuar dhe për ata që janë në skema të ndryshme sociale.
Buxheti i paraparë i Kosovës për vitin e ardhshëm pritet të jetë 3.3 miliardë euro, në krahasim me 3.2 miliardë euro sa ishte këtë vit.